IVANOVIQ: QËLLIMI I MALIT TË ZI PËR ANËTARËSIM NË BE DERI NË VITIN 2028 ËSHTË I ARRITSHËM

Foto: Qeveria e Malit të Zi / Vlada Crne Gore

Zëvendëskryeministri për Punë të Jashtme dhe Evropiane, Filip Ivanoviq, ka theksuar se qëllimi i Malit të Zi për të mbyllur të gjitha kapitujt e negociatave deri në vitin 2026 dhe për t’u bërë anëtare e Bashkimit Evropian deri në vitin 2028 është i realizueshëm.

Gjatë vizitës në Institutin Mbretëror Elcano në Spanjë, ku u prit nga drejtori Charles Powell, Ivanoviq prezantoi prioritetet e politikës së jashtme të Malit të Zi dhe detajoi procesin e integrimit evropian.

Ai theksoi rëndësinë e anëtarësimit të plotë në BE, forcimin e marrëdhënieve fqinjësore dhe bashkëpunimin rajonal dhe evropian.

Ivanoviq përmendi sukseset e arritura deri më tani, si miratimi i reformave në drejtësi dhe përmirësimi i transparencës së institucioneve, si dhe dhënien e vlerësimit pozitiv për kapitujt 23 dhe 24 në vitin 2024 dhe mbylljen e kapitullit 5 për prokurimet publike këtë vit.

Ai nënvizoi se Malit të Zi i kanë mbetur ende sfida, por është i bindur se qëllimi do të arrihet.

Anëtarësimi në BE do të sjellë përfitime të mëdha në ekonomi, bashkëpunm dhe akses në fonde evropiane, si dhe do të fuqizojë frymën evropiane në Ballkanin Perëndimor.

Ivanoviq vuri në dukje edhe mbështetjen e lartë të opinionit publik për anëtarësimin në BE dhe rëndësinë e vazhdimit të reformave, duke theksuar rolin aktiv të Malit të Zi si anëtar i NATO-s dhe përkushtimin për rrugën evropiane.

Diskutimi u zhvillua në një atmosferë miqësore dhe konstruktive, duke përforcuar gatishmërinë për bashkëpunim të mëtejshëm midis Malit të Zi dhe Spanjës.

Instituti Mbretëror Elcano është një nga institutet kryesore spanjolle për marrëdhënie ndërkombëtare, me mbretin Felipe VI si kryetar të Këshillit.

SHARE