Foto: Ilustrim
Me rritjen e temperaturave të jashtme, Ministria e Punës, Punësimit dhe Dialogut Social e Malit të Zi, në bashkëpunim me Institutin për Shëndetin Publik, ka publikuar rekomandime zyrtare për punën në ambient të hapur gjatë kushteve të vapës ekstreme. Qëllimi i këtyre masave është parandalimi i lëndimeve serioze dhe mbrojtja e jetës dhe shëndetit të punëtorëve të ekspozuar çdo ditë ndaj temperaturave të larta.
Sipas rregulloreve në fuqi, puna në ambient të hapur nuk duhet të zhvillohet kur temperatura tejkalon 36°C, përveç në raste të rrezikut të menjëhershëm për njerëzit apo pronën. Në të gjitha situatat e tjera, punëdhënësit janë të detyruar të organizojnë punën në përputhje me vlerësimin e rrezikut dhe rregullat për sigurinë në punë.
Masat mbrojtëse përfshijnë:
- Ndërprerje e punës nga ora 11:00 deri në 16:00, nëse është e mundur
- Riorganizim i orarit të punës – punë në mëngjes herët ose pasdite vonë
- Punë me turne dhe angazhimi i fuqisë punëtore shtesë
- Pushime të shpeshta në hije
- Furnizim me ujë të ftohtë dhe pije joalkoolike
- Hapësira për pushim dhe mbrojtje nga dielli
- Edukim për njohjen e simptomave të sëmundjeve nga vapa
Rekomandohet shmangia e kafeinës, alkoolit dhe pijeve të gazuara apo shumë të ëmbla. Rekomandohet gjithashtu marrja e të paktën 2 litra ujë në ditë, në sasi të vogla çdo 15–20 minuta.
Gjithashtu, rëndësi e veçantë i kushtohet ushqimit të shëndetshëm – i lehtë, me fruta të freskëta, perime dhe produkte qumështi – dhe përdorimit të veshjeve të përshtatshme për verë: rroba të lehta, të çelëta dhe nga materiale natyrale, si dhe kapela me strehë të gjerë.
Zyrtarët u bëjnë thirrje punëdhënësve të mos injorojnë këto rekomandime, sepse çdo jetë është e vlefshme dhe sjellja e përgjegjshme mund të parandalojë tragjedi gjatë muajve të nxehtë të verës.