Foto: predsjednik.me
Presidenti i Malit të Zi, Jakov Milatoviq, ka deklaruar në rrjetin X se pret që organet kompetente të shqyrtojnë me kujdes rekomandimet e Komisionit të Venecias, përfshirë qëndrimet e qarta të Komisionit Evropian të shprehura në dokumentin “non-paper” për sundimin e ligjit, dhe të fillojnë sa më shpejt me zbatimin e tyre.
Ai tha se Komisioni i Venecias ka konfirmuar se gjatë pensionimit të gjyqtares Gjuranoviq nuk është respektuar procedura e parashikuar nga Kushtetuta, gjë që, sipas tij, përforcon qëndrimin që vetë kishte shprehur më herët për këtë çështje.
“Jam i shqetësuar për mungesën e përgjegjësisë nga vendimmarrësit që nuk ishin të gatshëm të dëgjojnë argumentet për diçka që ishte e qartë që në fillim. Po ashtu, më shqetëson përpjekja për të interpretuar qëndrimin e Komisionit të Venecias sipas nevojave të përditshme politike, sepse ai qëndrim është shumë i qartë”, tha Milatoviq.
Ai theksoi se procedura mund të zbatohet ose në përputhje me Kushtetutën, ose në kundërshtim me të, dhe Komisioni i Venecias, sipas tij, ka bërë të qartë se në këtë rast procedura kushtetuese nuk është respektuar.
“Me këtë veprim, nga adresat më të larta shtetërore është vënë në pikëpyetje siguria juridike dhe zbatimi unik i ligjit. Pres që autoritetet kompetente të shqyrtojnë me kujdes rekomandimet e Komisionit të Venecias, përfshirë edhe qëndrimet e Komisionit Evropian nga non-paper-i për sundimin e ligjit, dhe që sa më shpejt të nisin me zbatimin e tyre”, u shpreh presidenti.
Në fund, Millatoviq theksoi se vetëm përmes respektimit konsekuent të Kushtetutës dhe ligjeve mund të sigurohet stabiliteti i rendit juridik, mbrojtja e pavarësisë së institucioneve dhe përmbyllja e rrugës evropiane të Malit të Zi.