Foto: predsjednik.me
Presidenti i Malit të Zi, Jakov Millatoviq, po merr pjesë në Samitin e shefave të shteteve dhe qeverive në kuadër të Samitit të Procesit të Bashkëpunimit për Evropën Juglindore (SEECP), që po mbahet në Tiranë.
Ai foli në seancën plenare të samitit me temë „Nxitja e stabilitetit dhe prosperitetit përmes bashkëpunimit rajonal dhe integrimeve evropiane“.
„Tema e sotme në shumë mënyra përmbledh thelbin e perspektivës së Malit të Zi për lidhjen e pandashme mes bashkëpunimit rajonal dhe integrimit në Bashkimin Evropian, si dhe rolin kyç që ato luajnë në transformimin e rajonit tonë. Në kushtet e sotme të paqëndrueshmërisë në skenën gjeopolitike, kjo qasje e dyfishtë mundëson që rajoni ynë të integrohet fuqishëm në komunitetin evropian të vlerave, dhe kështu të kontribuojë në forcimin e rolit dhe konkurrencës së Evropës vetë“, theksoi presidenti Millatoviq.
Ai deklaroi se ambicia e vendeve të rajonit për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian në vitet në vijim kërkon përkushtim të pandryshueshëm rajonal për zbatimin e reformave të nevojshme.
„Sundimi i ligjit, lufta kundër korrupsionit, avancimi i të drejtave të njeriut dhe forcimi i institucioneve demokratike mbeten baza për ndërtimin e demokracive më të qëndrueshme dhe shoqërive prosperuese. Po ashtu, projektet e përbashkëta infrastrukturore që na lidhin do të kenë ndikim vendimtar dhe multidimensional, duke nxitur aktivitetin ekonomik në rritje dhe duke e bërë infrastrukturën tonë një element kyç të sigurisë ekonomike dhe të përgjithshme. Prandaj, ky është momenti që të fuqizojmë institucionet politike dhe ekonomike që përfaqësojnë të gjithë qytetarët, dhe përmes bashkëpunimit të ngushtë të shndërrojmë rajonin tonë në një hapësirë begatie dhe mundësish për të gjithë qytetarët tanë“, tha Millatoviq.