HUNGARIA MBËSHTET INTEGRIMIN E BALLKANIT PERËNDIMOR NË BE

Kryeministri hungarez, Viktor Orban, ka deklaruar në një konferencë të përbashkët për mediat me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, se Hungaria mbështet integrimin e Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian (BE).

Dy homologët u fokusuan në çështjet e bashkëpunimit mes dy vendeve, procesin e integrimit në BE të Ballkanit Perëndimor dhe tensionet e fundit në Kosovë.

– Rama: Hungaria është një ndër avokatët më të zëshëm të Ballkanit Perëndimor në BE

Kryeministri Rama theksoi se Hungaria është një ndër avokatët më të zëshëm të Ballkanit Perëndimor në BE dhe, sipas tij, një nga forcat më progresive në raport me zgjerimin e Bashkimit Evropian.

Rama u shpreh se ndajnë të njëjtën bindje me kryeministrin Orban dhe Qeverinë e Hungarisë lidhur me interesin e lartë gjeostrategjik të BE-së, për integrimin sa më shpejt në BE të Ballkanit Perëndimor.

“Kemi folur për të sjellë më shumë ekspertizë dhe investime nga Hungaria në fushën e energjisë dhe shpresoj shumë edhe në fushën e turizmit. Turizmi është bërë një urë shumë e rëndësishme lidhëse mes nesh. Turistët nga Hungaria shtohen në numër çdo vit”, tha Rama.

“Është e papranueshme dhe e turpshme se sa ngadalë po ecën proces i zgjerimit të BE-së”

Kryeministri Orban theksoi se Evropa nuk është në një gjendje të mirë sot, dhe shtoi se do të paguajnë një çmim shumë të lartë nëse nuk do të anëtarësohen në BE vendet e Ballkanit.

Ai u shpreh se vizita e sotme është në një periudhë shumë të rëndë, pasi, sipas tij, “kemi të bëjmë me një ristabilizim, me një rindarje ekonomike të rëndë që po ndikon në Evropën e sotme dhe mendoj se këto janë dhe pikat e dobëta të politikës ekonomike të Evropës së sotme”.

Kryeministri hungarez shtoi se është e papranueshme dhe sipas tij është e turpshme se sa ngadalë po ecën proces i zgjerimit të Bashkimit Evropian.

“Nëse zgjerimi i Bashkimit Evropian do të ecë me këtë ritëm kaq të ngadaltë, mund të them se është një ritëm vetëvrasës, nuk e di si do të ia bëjë Evropa në të ardhmen. Për këtë arsye Hungaria mbështet gjithmonë dhe do ta mbështesë dhe në të ardhmen anëtarësimin e Shqipërisë, integrimin e Ballkanit Perëndimor (në BE)”, theksoi Orban.

SHARE