Mali i Zi bëri regres, ndërsa Serbia dhe Kosova mbajtën të njëjtin pozicion, thuhet në raportin vjetor të Departamentit të Shtetit për trafikimin e qenieve njerëzore në botë.
Disa nga detajet e raportit u prezantuan në kryeqytetin amerikan të mërkurën nga Sekretari i Shtetit Anthony Blinken.
Në këtë raport u saktësua se autoritetet malazeze nuk i përmbushin plotësisht standardet minimale për eliminimin e trafikimit të qenieve njerëzore, por se po bëjnë përpjekje të konsiderueshme për ta bërë këtë.
“Përpjekjet përfshinin ndjekjen penale të disa të pandehurve dhe identifikimin e viktimave të trafikimit të qenieve njerëzore. Qeveria miratoi Planin Kombëtar të Veprimit për vitin 2022, ndërkohë që organet koordinuese u mblodhën vazhdimisht. Megjithatë, qeveria nuk tregoi përpjekje më të mëdha të përgjithshme në krahasim me raportin e mëparshëm,” thuhet në raport.