ABAZOVIQ OFRON QË MALI I ZI TË JETË MIKËPRITËS I DIALOGUT PRISHTINË-BEOGRAD

Kryeministri me mandat teknik i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, ka ofruar që Mali i Zi, “si vend mik i Serbisë dhe Kosovës”, të jetë mikëpritës i raundit të radhës të dialogut Prishtinë-Beograd, me përfshirjen e zyrtarëve evropianë dhe amerikanë.

Abazoviq, përmes një postimi në Twitter pas një takimi me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, në kuadër të Forumit të Prespës që po zhvillohet në Ohër të Maqedonisë së Veriut, tha se “promovimi i paqes, stabilitetit dhe bashkëpunimit rajonal është një nga synimet kryesore të politikës së jashtme të Malit të Zi“.

“Interesi ynë i përbashkët është të gjejmë një zgjidhje të pranueshme për të gjitha palët në një bisedë të hapur“, ka shkruar ai.

Një ditë më herët, përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, ka thënë se do t’i ftojë përfaqësuesit e Kosovës dhe Serbisë javën e ardhshme në Bruksel, një takim urgjent për menaxhim të krizave.

SHARE