Bernard Çobaj: Bloomsday – Dita e Blumit

Në shkrimet e mëparshme treguam për ndikimin e vëllezërve Vilijem dhe Henri Xhejms në teknikën narrative të përroit të ndërdijes, novelën Dublinasit dhe rolin e Dublinit në veprat e Xhojsit, kredon artistike të formuluar te Portreti i një artisti në rini dhe prapavijën e datës së 16 qershorit (data e takimit të Xhojsit me partneren e tij jetësore, Nora Barnakëll).

Gjashtëmbëdhjetë qershori është dita kur zhvillohet ngjarja tek Uliksi. E njohur me emrin Bloomsday (sipas protagonistit Leopold Blum/Bloom), ajo mbledh adhurues të veprës së Xhojsit nga diaspora irlandeze dhe e gjithë bota.

Gjetkë, në Irlandë, e sidomos në Dublin organizohen manifestime të shumta. Dublinasit dhe turistët shëtisin nëpër rrugët ku ka ecur Leopold Blumi, hanë e pinë nëpër kafenetë ku ka qëndruar ai më 16 qershor të vitit 1904.

Gjashtëmbëdhjetë qershori u shndërrua në datë të rëndësishme për turizmin kulturor në Dublin. Në këtë ditë, kopjet e Uliksit mund të gjenden kudo, por edhe të veprave të tjera të Xhojsit. Kudo mund të gjenden edhe magnetet e frigoriferit dhe filxhanët e kafesë me fytyrën e Xhojsit.

Bloomsday vjen nga një shënim i futur në një buqetë me lule, që Xhojsit ia dërgoi një lexues në përvjetorin e parë të publikimit të Uliksit: Gëzuar Bloomsday, i dashur Xhejms. Nora e grisi menjëherë buqetën dhe e hodhi në kosh, por shprehja është ruajtur edhe sot e kësaj dite.

Nga një fillim modest, nga viti 1954, Bloomsday është bërë një pikë e rëndësishme e industrisë së Xhojsit, e nxitur jo vetëm nga kapitali akademik i fituar nga tekstet e Xhojsit, por edhe nga mekanizmat më pak abstraktë të marketingut paraletrar.

Sponsorë të Bloomsday janë: birraria më e madhe në botë Guinness dhe fabrika e mishit Denny, e cila përdor citime nga Uliksi për të reklamuar salsiçet e saj.

Restorantet dhe baret ofrojnë meny të frymëzuara nga ajo që hëngrën personazhet e Xhojsit në roman. Disa vishen me rroba të periudhës së Blumit, disa vendosin borsalino në kokë dhe disa, thjesht, shëtisin nëpër qytet me Uliksin nën krah.

Të gjithë përfitojnë nga Xhojsi: Shoqata Turistike e Dublinit, bizneset e ndryshme e deri te stërnipërit e tij.

Në këtë frymë, Ulqini mund të nxjerrë një datë me rëndësi që lidhet me Servantesin/Don Kishotin, për të organizuar një ditë të begatë kulturore, që me kohë do të bëhej pjesë e rëndësishme e kalendarit të ofertës turistike të trashëgimisë kulturore.

Në Irlandë ka po ashtu nga ata që i bezdis e gjithë kjo, janë të ofenduar nga karnevalizimi dhe komercializimi i veprës së Xhojsit.

Bloomsday, me të gjitha salsiçet, birrat, turistët e humbur japonezë, adoleshentët e dehur dhe adhuruesit e emocionuar të letërsisë së bukur, i përket ende kontekstit të romanit të Xhojsit. Në rrugët e Dublinit sot, si në roman në të kaluarën, e lartësuara dhe banalja hasen dhe është e vështirë të thuhet se ku mbaron njëra dhe ku fillon tjetra.

Përkthyesi i Uliksit në gjuhën shqipe, Idlir Azizaj, për t’u futur më mirë në mendësinë e botës së Xhojsit, qëndroi në Dublin, në baret ku kishte qëndruar Xhojsi, dhe vizitoi shtëpinë e tij.

Irlanda e ka kthyer në pelegrinazh të përvitshëm aktivitetin në përkujtim të shkrimtarëve irlandezë: Xhonatan Svift, Vilijem Batler Jejts, Xhejms Xhojs, Semjuel Beket, dhe përkthyesit e tyre mblidhen nga e gjithë bota – shembull ky se si investojnë vendet e vogla në kulturë.
https://www.youtube.com/embed/q8f2oPx52n8

SHARE