ZELENSKYY: UKRAINA KA NEVOJË PËR PAQE

Foto: AA

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy deklaroi se lufta e Rusisë ndaj Ukrainës duhet të përfundojë sa më shpejt të jetë e mundur dhe në mënyrë të drejtë.

Në fjalën e tij në seancën e parë plenare të Samitit të Komunitetit Politik Evropian në Tiranë, Zelenskyy theksoi se Ukraina ka nevojë për paqe dhe sipas tij, paqja në Evropë varet nga fakti nëse Ukraina do ta marrë atë.

Në lidhje me bisedimet e zhvilluara në Turqi, Zelenskyy tha se ai ishte i gatshëm për një takim me presidentin rus Vladimir Putin për të zgjidhur çështje të rëndësishme, por ai shtoi se Putin nuk ra dakord për asgjë.

Presidenti i Ukrainës tha se Putin vazhdon të minojë diplomacinë, duke shtuar se bota duhet të reagojë, duke përfshirë sipas tij edhe sanksionet ndaj Rusisë.

“Ukraina është e gatshme që të ndërmarrë të gjitha hapat e duhur dhe realistë për t’i dhënë fund luftës”, tha ai.

Zelenskyy shtoi se SHBA-ja dëshiron t’i japë fund luftës dhe theksoi se duhet të vazhdojnë të bashkëpunojnë me presidentin Donald Trump.

Në Shqipëri po mbahet Samiti i Gjashtë i Komunitetit Politik Evropian me moton “Evropa e re në një botë të re”, duke mbledhur së bashku kryetarë shtetesh dhe qeverish si dhe përfaqësues të institucioneve kryesore ndërkombëtare.

SHARE