PLENKOVIQ: PËRPARIMI I MALIT TË ZI NË NEGOCIATAT ME BE DO TË VARET NGA ZGJIDHJA E ÇËSHTJEVE TË HAPURA ME KROACINË

Foto: AP

Kryeministri i Kroacisë, Andrej Plenkoviq, deklaroi të premten në Tiranë se Kroacia ka hapur një sërë çështjesh gjatë procesit të negociatave të Malit të Zi me Bashkimin Evropian, të cilat prej vitesh mbeten të pazgjidhura, dhe se përparimi i mëtejshëm i Malit të Zi në këtë proces do të varet nga zgjidhja e tyre.

“Ne kemi ngritur një sërë çështjesh që qëndrojnë të pazgjidhura prej vitesh, dhe nëse ka përparim, do të vazhdojmë bisedimet,” u shpreh Plenkoviq, duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve se kur mund të pritet mbyllja e Kapitullit 31 – që ka të bëjë me politikën e jashtme, të sigurisë dhe të mbrojtjes.

Ai sqaroi se mes ministrive të jashtme të Kroacisë dhe Malit të Zi po zhvillohen bisedime për kompensimin e ish-të burgosurve kroatë të luftës dhe të personave që kanë kaluar përmes torturave në fillim të viteve ’90, si dhe për një sërë çështjesh të tjera të hapura.

Mali i Zi mbylli në dhjetor të vitit të kaluar tre kapituj negociues pas një ndërprerjeje shtatëvjeçare, ndërsa kishte shpresuar të mbyllte katër.

Kroacia nuk dha miratimin për mbylljen e Kapitullit 31.

Në atë kohë, ministri i jashtëm kroat, Gordan Grliq Radman, deklaroi se Kroacia nuk po e bllokon Malin e Zi për shkak të çështjeve bilaterale.

“Kroacia me siguri nuk do të vendosë çështje bilaterale si kusht për rrugën evropiane të Malit të Zi, por çështja e personave të zhdukur gjatë luftës dhe kompensimi për të burgosurit e kampeve – janë tema që duhet të shqetësojnë gjithë Bashkimin Evropian, jo vetëm Kroacinë,” kishte thënë Grliq Radman në dhjetor të vitit të kaluar.

SHARE