Foto: Erkin Keçi/AA
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në deklaratën e saj para Samitit të Komunitetit Politik Evropian në Tiranë, tha se më me rëndësi se sa bisedimet e Kosovës me Serbinë, janë bisedimet ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian (BE).
Pas pritjes në tapetin e kuq nga kryeministri shqiptar Edi Rama, në Tiranë, Osmani tha para mediave se është koha për veprime konkrete në këtë drejtim.
Ajo tha se Kosova ka aplikuar për anëtarësim në BE para dy vitesh dhe për fat të keq ky aplikacion nuk është shqyrtuar akoma nga BE-ja.
“Ka ardhur koha që përtej fjalëve të bukura që u jepen shteteve aspiruese për anëtarësim, të ketë veprime konkrete”, theksoi Osmani.
Presidentja kosovare tha se Kosova është 100 për qind në linjë me vendimet e BE-së sa i përket politikës së jashtme dhe asaj të sigurisë.
Ajo tha se sa i përket dialogut Kosovë-Serbi, më parë duhet të flitet për heqjen e masave ndëshkuese nga ana e BE-së, sepse kjo e dëmton edhe vet kredibilitetin e BE-së, gjë për të cilën presidentja tha se do të kërkojë edhe sot.
Në lidhje me ngërçin për konstituimin e Kuvendit, Osmani tha se “Kosova ka pasur seanca, një muaj u bë dje për të zgjedhur parlamentin dhe qeverinë që vjen më pas, inkurajoj liderët që për interes të qytetarëve që të mos dëmtohemi më shumë të kemi institucione sa më parë“.