Foto: Qeveria e Malit të Zi / Vlada Crne Gore
Samiti i gjashtë i Komunitetit Politik Europian çeli sesionin e parë të punimeve me pjesëmarrjen e liderëve europianë, të cilët pas ceremonisë së mikpritjes dhe fotos familjare u drejtuan në “Shtëpinë e Europës” të ndërtuar enkas në sheshin “Skënderbej”, dhe të zbukuruar me vizatimet e fëmijëve të Shqipërisë, e cila kthehet sot në simbolin e bashkimit për “një Europë të re në një botë re”.
Seanca e parë plenare u fokusua në sigurinë dhe qëndrueshmërinë demokratike të Evropës, duke adresuar të dyja imperativat imediate – siç është mbështetja e Ukrainës në përpjekjen e saj për një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme – dhe sfidat afatgjata, duke përfshirë mbrojtjen e proceseve demokratike nga ndërhyrja e huaj dhe forcimin e aftësive të mbrojtjes kolektive të Evropës.
Kryeministri Rama drejtoi punimet e seancës plenare, ku fillimisht u drejtua me një fjalë përshëndetëse.
Kryeministri Edi Rama, gjatë fjalimit të tij në mbledhjen e Komunitetit Politik Europian, theksoi se kjo ngjarje ka një rëndësi të veçantë për Shqipërinë dhe për gjithë popullin shqiptar.
Ai e cilësoi si një nder të jashtëzakonshëm mundësinë për të mirëpritur liderët dhe përfaqësuesit e Europës në një vend që është ndërtuar posaçërisht për Komunitetin Politik Europian.
Rama theksoi se Shqipëria po e sheh Europën jo si një destinacion të largët, por si një të ardhme të mundshme, një ëndërr që duhet të bëhet realitet për fëmijët shqiptarë. Rama theksoi se është e rëndësishme që të shohim të ardhmen përmes syve të ëndrrave të fëmijëve tanë dhe të mos mbetemi të ngujuar nga mitet dhe traumat të së kaluarës.
Ai shpjegoi se gjatë fushatës zgjedhore, Europa ka qenë një temë e diskutuar më shumë se kurrë, jo si një çështje e ndarjeve politike, por si një kërkesë e përbashkët identiteti dhe përkatësie. Ky besim për Europën është pasqyruar në rezultatet e zgjedhjeve, ku mbi 52% e votuesve kanë mbështetur ideologjinë e integrimit europian, duke e konsideruar si një mundësi për të ardhmen.
Në lidhje me idenë e bashkimit europian, Rama përmendi shembuj historikë si Abatin e Shën Pjetrit, një vizionar i shekullit XVIII që parashikoi bashkimin e shteteve europiane për një paqe të përhershme. Ai kujtoi se ky projekt i bashkimit ishte i dështuar, por theksoi se ideja e Europës së bashkuar është një e ardhme që mund të realizohet, pavarësisht sfidave të përballuara sot, si agresionet e jashtme, fragmentimi i brendshëm dhe pasiguria ekonomike.
Kryeministri shqiptar theksoi se, ndërsa Europa po përballet me kërcënime të reja, është e rëndësishme të mos harrojmë vlerat e themeluesve të Bashkimit Europian, të cilët krijuan një mundësi për paqe dhe bashkëpunim edhe mes ish-armiqve, duke e kthyer tregtinë dhe lirinë në baza të qëndrueshme për sigurinë e kontinentit.
Rama e theksoi këtë si një mësim të çmuar që Europa mund të ofrojë për të gjithë: se paqja dhe bashkëpunimi mund të krijohen edhe nëpërmjet rivaliteteve të së kaluarës.
Rama përmendi gjithashtu sfidat që Ballkani i ka kaluar, duke përmendur periudhën e luftës, konflikteve dhe shkatërrimit, dhe theksoi se Shqipëria dhe vendet e rajonit kanë mësuar se paqja dhe bashkëpunimi janë e vetmja mundësi për të siguruar një të ardhme më të mirë për brezat që do të vijnë.
Ai i bëri thirrje Europës të investojë në krijimin e mundësive të reja për rinjtë dhe bizneset dhe të krijojë kushte për rritjen e kapaciteteve dhe zhvillimit të përbashkët. Rama përfundoi fjalimin e tij me një thirrje të fortë për një Europë të re, të bashkuar dhe të hapur, që do të investojë jo vetëm në mbrojtje, por edhe në zhvillimin e mundësive për brezat e ardhshëm, duke ndihmuar në realizimin e ëndrrave të fëmijëve tanë dhe të atyre që luftuan për një Europë më të bashkuar.
Në samit marrin pjesë liderët e vendeve anëtarë të BE-së, vendeve të rajonit, si të Kosovës, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi, Serbisë, Bosnjë e Hercegovinës dhe vendeve të tjera evropiane, si dhe udhëheqës të institucioneve të BE-së dhe përfaqësues të NATO-s, OSBE-së dhe Këshillit të Evropës.