Foto: predsjednik.me
Samiti i Komunitetit Politik Evropian në Tiranë është një mundësi e mirë që Mali i Zi, përpara 50 liderëve evropianë, të promovohet si shteti kandidat më i avancuar për anëtarësim në Bashkimin Evropian (BE), tha presidenti i Malit të Zi, Jakov Millatoviq.
Ai u tha gazetarëve, para fillimit të Samitit, se ky takim po mbahet për herë të parë në një nga shtetet e Ballkanit Perëndimor.
“Kjo është një platformë jashtëzakonisht e rëndësishme, veçanërisht për shtetet që nuk janë anëtare të BE-së, ndaj sot është një mundësi që përmes një bisede të hapur me vendet anëtare të Unionit të punojmë për një Evropë më të fortë,” vlerësoi Millatoviq.
Ai theksoi se tema e Samitit është “Evropa e re në një botë të re” dhe se kjo nënkupton se si ta bëjmë Evropën edhe më të fortë.
“Sot është gjithashtu një mundësi e mirë për të promovuar Malin e Zi si vendin kandidat më të avancuar për anëtarësim, përpara 50 liderëve nga kontinenti evropian,” tha Millatoviq.
I pyetur nga një gazetar kroat nëse ekziston ndonjë problem në lidhje me valutën në rrugën drejt BE-së, Millatoviq u përgjigj se Mali i Zi ka përdorur euron prej një kohe të gjatë.
“Kjo është gjithashtu pjesë e një kapitulli negociues që kemi me BE-në, por padyshim që është një nga sfidat më të vogla në rrugën tonë drejt Evropës,” tha Millatoviq.
I pyetur nëse ka informacione të reja lidhur me marrëveshjen ndërmjet Ukrainës dhe Malit të Zi, Millatoviq përsëriti se ajo është “në kompetencën e Qeverisë”.
“E dini që presidenti Zelenski mund të kishte ardhur të shtunën në Mal të Zi, pas samitit të sotëm në Tiranë. Megjithatë, kryeministri kishte angazhime të paracaktuara, kështu që e gjithë kjo është lënë për një rast tjetër,” tha Millatoviq.