GORÇEVIQ: DY KAPITUJ NEGOCIUES JANË DËRGUAR PËR SHQYRTIM NË KOMISIONIN EVROPIAN

Foto: Qeveria e Malit të Zi / Vlada Crne Gore

Bashkimi Evropian ka transferuar Malit të Zi një shumë prej pothuajse 27 milionë eurosh në kuadër të Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor.

Nga kjo shumë, 12.5 milionë euro janë hedhur direkt në buxhetin shtetëror të Malit të Zi si mbështetje për reformat e miratuara që do të zbatohen deri në fund të vitit 2027.

Ministrja për Çështje Evropiane, Maida Gorçeviq, bëri të ditur se këto mjete do të përdoren për forcimin e sundimit të ligjit, përparimin e agjendës së gjelbër, procesin e digjitalizimit dhe zhvillimin e qëndrueshëm energjetik.

Ajo theksoi se qytetarët do të ndiejnë përfitimet konkrete të këtyre reformave, të cilat janë të lidhura ngushtë me mbylljen e kapitujve negociues dhe përparimin drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Pjesa e mbetur e fondeve do të përdoret për projekte të veçanta.

Në kuadër të Planit të Rritjes, janë propozuar 44 projekte nga Ministria e Arsimit, ndërsa 14.3 milionë euro do të alokohen përmes Kornizës Investuese për Ballkanin Perëndimor, për tri projekte të Ministrisë së Energjisë.

Në dy vitet e ardhshme, Mali i Zi pritet të përfitojë deri në 383 milionë euro nëse përmbush të gjitha obligimet e tij.

Nga kjo shumë, 110 milionë euro janë në formë grantesh të pakthyeshme, ndërsa pjesa tjetër do të vijë përmes kredive dhe huave me kushte të favorshme.

Në qershor, pritet të mbahet një konferencë ndërqeveritare mes Malit të Zi dhe BE-së, ku në rend dite mund të jenë një ose dy kapituj negociues.

Dy kapituj janë tashmë dërguar për shqyrtim në Komisionin Evropian.

Sipas Gorçeviq, synimi i Qeverisë është që deri në fund të vitit 2026 të përmbyllet teknikisht procesi i mbylljes së kapitujve negociues.

SHARE