SPAJIQ-VARHELI: REZULTATET E MALIT TË ZI JANË SUKSESI YNË I PËRBASHKËT

Kryeministri i Malit të Zi Millojko Spajiq ka takuar Komisionerin Evropian për Fqinjësi dhe Zgjerim, Oliver Varheli, me të cilin ka biseduar për mundësitë aktuale dhe mundësitë për bashkëpunim të mëtejshëm, veçanërisht në drejtim të zbatimit të agjendës së reformave.

Kryeministri Spajiq dhe komisioneri Varheli u pajtuan se Mali i Zi është shumë i suksesshëm në përmbushjen me vendosmëri të prioriteteve nga kapitujt e negociatave në fushën e sundimit të ligjit, dhe se në gjysmën e fundit të vitit administrata malazeze i është përgjigjur me shumë sukses një plani jashtëzakonisht ambicioz, i cili, siç vlerësuan ata, nëse përmbushen të gjitha detyrimet e mbetura, do të rezultojë në marrjen e IBAR-it dhe vazhdimin e procesit të mëtejshëm integrues.

Kryeministri u shpreh i kënaqur me qëndrimin e Komisionit Evropian ndaj Malit të Zi dhe tha se sa i përket politikës së zgjerimit, kjo është një nga fazat më të suksesshme të viteve të fundit.

„Rezultatet e Malit të Zi dhe çdo hap më afër anëtarësimit të plotë janë suksesi ynë i përbashkët,“ tha Spajiq.

Komisioneri Oliver Varheli theksoi rëndësinë e organizimit të Samitit të liderëve të Ballkanit Perëndimor në Mal të Zi dhe tha se kjo është një mundësi për Malin e Zi që edhe një herë të konfirmojë veten si një faktor koheziv në rajon ku të gjithë partnerët ndërkombëtarë mund të mbështeten, veçanërisht kur bëhet fjalë për ruajtjen e stabilitetit dhe vazhdimin e zhvillimit të përgjithshëm.

“Komisioni Evropian mbështet fuqishëm të gjitha aktivitetet në këtë drejtim”, tha Varheli.

SHARE