BISLIMI: TJETËR TAKIM I DËSHTUAR, PALA SERBE ERDHI ME PROPOZIME TË REJA DHE JO ME PËRGJIGJIE

Kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi, e cilësoi si të dështuar takimin në Bruksel për dinarin, duke thënë se pala serbe erdhi me propozime të reja për çështjen, e jo me përgjigje.

Duke folur për gazetarët pas negociatave disaorëshe, Bislimi tha se nuk pret takime të tjera për këtë temë.

Ai i bëri këto deklarata pas një takimi trepalësh mes tij dhe kryenegociatorit të Serbisë, Petar Petkoviq, nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.

Ky rund i ri i bisedimeve ishte vazhdim i përpjekjeve që palët të gjejnë zgjidhje për çështjen e ndalimit të përdorimit të dinarit serb në Kosovë.

Një ditë më herët, ndërmjetësuesi i dialogut Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, u shpreh se pret që palët të jenë të gatshme për gjetjen e një zgjidhjeje praktike.

Edhe zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, tha se blloku pret që palët të dëshmojnë gatishmëri për gjetjen e një zgjidhjeje të përkohshme praktike, e cila do t’i ndihmonte qytetarët e prekur nga vendimi i BQK-së.

SHARE