Pjesë të Kroacisë dhe Bosnjë-Hercegovinës janë përmbytur pasi shiu i rrëmbyeshëm bëri që disa lumenj të dilnin nga shtrati.
Reshjet e dendura në ditët e fundit kanë nxjerrë nga shtrati lumenjtë në Kroaci duke vërshuar shtëpitë, rrugët dhe ndërtesat publike në disa qytete.
Në qytetin e Obrovcit, pranë qytetit bregdetar të Detit Adriatik, Zarë, mësimet në shkollat e qytetit janë anuluar pasi depërtoi uji.
Disa pjesë të qytetit kanë mbetur pa energji elektrike dhe zona qendrore e qytetit është përmbytur me ujë.
Në Graçac, aty pranë, dhjetëra njerëz u evakuuan nga shtëpitë e tyre dhe shumë të tjerë u zhvendosën në katet e sipërme për ta shmangur ujin e tepërt.
Autoritetet kanë bërë të ditur se rreth 300 ushtarë kroatë kanë ndërhyrë për të ndihmuar njerëzit në nevojë dhe për ta rritur mbrojtjen nga përmbytjet.
Ekuipazhet e urgjencës thanë se po sillnin ushqim për njerëzit e goditur nga përmbytjet, të bllokuar në shtëpitë e tyre.