Ka përfunduar pa asnjë rezultat takimi i kryenegociatorit të Kosovës, Besnik Bislimi dhe atij të Serbisë, Petar Petkoviq në Bruksel, nën ndërmjetësimin e Bashkimit Europian.
Edhe pse u diskutuan një sërë temash, raundi i ri i dialogut nuk prodhoi në fund asgjë konkrete.
Në fokusin e tij ishte kryesisht zbatimi i Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë dhe Aneksit të saj.
Bislimi shpjegoi se në takim u diskutua më shumë sesi palët e shohin drejtimin në të cilin po shkon procesi i dialogut.
Në axhendë, sipas tij, ishte “gjithçka që ka të bëjë me zbatimin e Marrëveshjes” së Ohrit.
Bislimi konfirmoi se gjatë vizitës së javës së kaluar, i dërguari i BE-së, Mirosllav Lajçak dërgoi në Prishtinë dhe Beograd disa dokumente që kanë të bëjnë me kompetencat e mekanizmit për zbatimin e marrëveshjes, me zbatimin e zbatimit e Deklaratës për të Zhdukurit, si dhe për qasjen e tij se si duhet të vazhdohet me zbatimin e pikës shtatë të marrëveshjes që ka të bëjë me formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
“Në marrëveshjen që arritëm në Ohër thuhet qartë se asnjë nga nenet nuk mund të kushtëzojnë nenet tjera dhe se të gjitha nenet do të zbatohen në mënyrë të pavarur. Po ashtu, thuhet se asnjëra palë nuk do të bllokojë zbatimin e ndonjë neni të caktuar. Ky është udhërrëfyesi për ne. Nuk besoj se ka gatishmëri nga BE-ja që t’i ikë një dokumentin që vetë e kanë sjellë dhe e kanë publikuar në faqen e tyre te webit”, deklaroi ai në fund të takimit.
Kryenegociatori i Serbisë, Petar Petkoviq, ka konfirmuar se pala serbe ka insistuar në formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, por që, sipas tij, nuk është e lehtë të bisedohet me Prishtinën. Deri më tani nuk ka njoftime se cilat do të jenë hapat e ardhshëm dhe kur do të takohen sërish Bislimi dhe Petkoviq.