Foto: predsjednik.me
Presidenti i Malit të Zi, Jakov Millatoviq, ka zhvilluar sot një vizitë zyrtare në Ulqin ku është takuar me kryetarin e Komunës së Ulqinit Genci Nimanbegu dhe bashkëpunëtorët e tij.
Presidenti Millatoviq theksoi se pas bisedës me të gjithë përfaqësuesit e qytetarëve të Ulqinit në kuvendin lokal, po dërgon një mesazh të rëndësishëm: „Presidenti i Shtetit është me qytetarët e Ulqinit, sidomos sot kur flasim për temën e marrëveshjes së nënshkruar me Emiratet e Bashkuara Arabe.“
“Në Ulqin nuk ka njeri që është kundër investimeve dhe këtë e kam dëgjuar sot nga të gjithë përfaqësuesit e qytetarëve të Ulqinit, të cilët vijnë nga të gjitha partitë politike. Megjithatë, çdo investim që vjen në Ulqin apo në Mal të Zi duhet të bazohet në dy gjëra kyçe: ligjet e shtetit të Malit të Zi dhe nevojat e qytetarëve. Mendoj se pikëpamjet e mia për marrëveshjen për bashkëpunim në turizëm dhe për zhvillimin e pasurive të paluajtshme ndërmjet Malit të Zi dhe Emirateve, e cila është nënshkruar dhe që tani i është dorëzuar Parlamentit të Malit të Zi në formën e lex specialis, janë shumë të qarta. Është një marrëveshje që, shumë qartë, anulon ligjet kyçe të Malit të Zi. Marrëveshja që anulon ligjet malazeze duhet të jetë e paligjshme, sepse bie ndesh me parimet e Kushtetutës së Malit të Zi dhe si e tillë është në kundërshtim me nevojat e komunitetit lokal, e cila në Kuvendin e Komunës së Ulqinit tha qartë se është kundër investimit të paralajmëruar”, tha presidenti Millatoviq.
Ai theksoi se duke analizuar marrëveshjen, shtrohet qartë pyetja e përputhshmërisë së saj me dispozitat kyçe të Marrëveshjes për Stabilizim dhe Asociim të Malit të Zi, gjë që shtron pyetjen shtesë nëse marrëveshja, si e tillë, marrëveshja për bashkëpunim në turizmin dhe zhvillimin e pasurive të paluajtshme është në kundërshtim me rrugën tonë evropiane.
“Pas gjithë atyre sugjerimeve që i kemi dhe të cilat janë paraqitur qartë këtu nga qytetarët e Ulqinit përmes përfaqësuesve të tyre të zgjedhur legjitimisht në Kuvend dhe komunën e Ulqinit, përveç gjithë kësaj, nesër kemi deklarimet, pa respektuar procedurat e vendosura demokratike të Kuvendit të Malit të Zi, dhe për këtë e kemi marrë vesh vetëm sot. Mendoj se kjo është jashtëzakonisht joserioze, e papërgjegjshme, në kundërshtim me nevojat e komunitetit lokal dhe në kundërshtim me interesat shtetërore të Malit të Zi”, tha Millatoviq.
Ai përkujtoi se dje ka apeluar që të pritet opinioni i Komisionit Evropian për këtë çështje.
“Mund të konfirmoj se javën e kaluar, për herë të parë si president i vendit, pikërisht sepse tema është e rëndësishme dhe në emër të këtyre qytetarëve, interesat e të cilëve unë i mbroj në Mal të Zi, ndaj të cilëve ndihem përgjegjës, i dërgova një letër Komisioneres për Zgjerim, ku kërkova një qëndrim të qartë – nëse marrëveshja që po vjen tani në formën e një ligji është në përputhje me çështjet ligjore të Bashkimit Evropian. I kam bërë thirrje deputetëve që të presin qëndrimet e qarta të organeve kompetente, si Agjencia për Mbrojtjen e Konkurrencës dhe Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit, të cilat kanë dhënë mendimet e tyre në ditët e kaluara. Por sot i ftoj edhe njëherë, nuk ka asnjë mendim. Tema është shumë serioze. Ne duam qëndrimin e Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit – nëse marrëveshja është në përputhje me ligjin apo jo. Kjo është puna e tyre dhe i bëj thirrje ta thonë këtë. Këtu nuk bëhet fjalë vetëm për qytetarët e Ulqinit, qëndrimin që e tregoj sot ndaj qytetarëve të Ulqinit, të njëjtën mënyrë do ta tregoja ndaj çdo cepi të shtetit të Malit të Zi”, tha presidenti i Malit të Zi.