KURTI KËRKON HAPA TË RINJ NGA BE PËR STATUSIN KANDIDAT TË KOSOVËS

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, priti sot në një takim lamtumirës Shefin e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, ambasadorin Aivo Orav.

Gjatë takimit, Kurti e falënderoi ambasadorin Orav për bashkëpunimin e mirë dhe korrekt, duke shprehur mirënjohje për angazhimin dhe shërbimin e tij në Kosovë që nga marrja e detyrës më 1 shtator 2024, njofton zyra për informim e Kryeministrit.

Kryeministri theksoi se, përkundër sfidave të shumta gjatë mandatit të tij, marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian janë forcuar. Në këtë drejtim, ai veçoi punën dhe përkushtimin e ambasadorit Orav në lansimin e Instrumentit për Reforma dhe Rritje.

Kurti nënvizoi gjithashtu rëndësinë që Bashkimi Evropian të ndërmarrë hapat e radhës në raport me Kosovën, në përputhje me progresin e bërë nga vendi, në mënyrë që Kosova të marrë statusin e merituar të vendit kandidat për anëtarësim në BE.

Në përfundim të takimit, kryeministri Kurti i uroi ambasadorit Orav suksese në angazhimet e tij të ardhshme, duke e falënderuar për kontributin dhe bashkëpunimin gjatë mandatit të tij në Kosovë.

Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë ka përshëndetur sot kryeministrin Albin Kurti, duke reflektuar mbi bashkëpunimin e deritanishëm dhe mbi perspektivat e ardhshme të marrëdhënieve BE–Kosovë.

Shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Aivo Orav, falenderoi Kryeministrin për bashkëpunimin gjatë mandatit të tij dhe theksoi mbështetjen e konsiderueshme që Bashkimi Evropian i ka dhënë Kosovës deri më tani.

Orav shprehu shpresën që së shpejti të gjitha institucionet në Kosovë të jenë funksionale dhe të përqendruara plotësisht në procesin e integrimit evropian, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit të vazhdueshëm për përparimin demokratik dhe ekonomik të vendit.

SHARE