Qofte Shtëpie me Patate – Krokante, të Ngrohta, të Shijshme

Nëse doni të konsumoni diçka të shijshme për të plotësuar oreksin por edhe për ta kënaqur atë, zgjidhja më ideale do të ishin disa qofte krokante me patate.

Krejt lehtë për t’u përgatitur në shtëpi me përbërësit që gjenden në kuzhinën e secilit prej nesh.

Qoftëzat me patate përtej shijes unike të tyre janë tejet të shëndetshme e mbi të gjitha fantastike për të shoqëruar çdo vakt ushqimi, sidomos drekë apo darkë.

Përgatitja e tyre nuk kërkon shumë kohë por rezultati final është padyshim për të lëpirë gishtat.

Qoftet me patatet janë fantastike në shoqërimin e supave e gjellëve të ndryshme.

Për një vakt të lehtë ato mund të konsumohen thjeshtë me një sallatë të freskët, me më të mirat që stina ofron.

Gjithashtu, qoftëzat krokante me patate mund të shërbejnë mjaft mirë si pjesë e antipastave të ndryshme në raste festash e gëzimesh familjare.

AgroWeb.org u sugjeron më poshtë recetën fantastike të përgatitjes krejt lehtë në shtëpi të qofteve me patate.

Përgatitja e Qofteve me Patate në Shtëpi

(Receta më poshtë është për katër persona)

1 kg patate

2 filxhanë të vegjël me miell

4 kokrra vezë

50g gjalpë

Dy lugë gjelle djathë kaçkaval i grirë ose djathë i bardhë

Piper

Majdanoz

Galetë (Dy filxhanë kafeje me bukë të thekur të grirë në rende)

Vaj (Për një gatim të shëndetshëm, AgroWeb.org u këshillon të përdorni vaj ulliri)  

Përgatitja

Qërojmë patatet dhe i hedhim në një tenxhere me ujë të nxehtë me kripë.

Pasi i zjejmë, i kalojmë në mixer për t’i bërë në formën e puresë.

Purenë e hedhim në një tas, shtojmë djathin kaçkavall ose të bardhin, miellin, dy nga vezët në recetë, gjalpin, piperin, majdanozin.

I përzjejmë të gjitha bashkë, derisa masa të bëhet e njëtrajtshme.

Brumi i qofteve me patateve ndahet në toptha të vegjël sa një kokërr arrë.

Kalohen në miell, pastaj në vezët e mbetura që i keni rrahur me pak ujë, më pas në galetë dhe skuqen në vaj të nxehtë. /AgroWeb.org

SHARE