Mali i Zi dhe Kroacia janë vende mike që ndajnë një vizion dhe vlera të përbashkëta euroatlantike, tha zëvendëskryeministri për Politikë Ekonomike, Nik Gjeloshaj.
Ai këtë e tha gjatë një takimi me ambasadorin kroat në Mal të Zi Veselko Grubishiq.
Siç njoftoi Qeveria, Gjeloshaj e informoi ambasadorin kroat për prioritetet e Qeverisë së 44-të si dhe për rezultatet e 100 ditëve të para të punës dhe theksoi se Mali i Zi është një partner i besueshëm, veçanërisht i përkushtuar ndaj vlerave euroatlantike dhe marrëdhënieve të mira fqinjësore.
„Mali i Zi dhe Kroacia janë vende mike që ndajnë një vizion dhe vlera të përbashkëta euroatlantike. Për ne, por edhe për të gjithë rajonin, Kroacia është një model që duhet ndjekur në drejtim të zhvillimit ekonomik dhe integrimit në familjen e madhe evropiane,“ ka thënë Gjeloshaj.
Ambasadori kroat, siç thuhet në njoftim, theksoi marrëdhëniet miqësore mes dy vendeve dhe shtoi se Kroacia do të vazhdojë të mbështesë Malin e Zi në proceset integruese evropiane.
Gjatë takimit u bisedua për bashkëpunim të mundshëm në aspektin ekonomik dhe infrastrukturor.
“Bashkëbiseduesit ranë dakord për vazhdimin e komunikimit dhe rritjen e bashkëpunimit në fushat me interes të ndërsjelltë”, thuhet në deklaratë.