Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden ka thënë se Shtetet e Bashkuara shprehin gatishmërinë për të punuar me qeverinë e re të Kosovës në rrugën e integrimit evropian. “Ka ende shumë punë për të bërë, përfshirë arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse me Serbinë e fokusuar në njohjen e ndërsjellë, që fuqizon sundimin të ligjit, përballjen me pandeminë dhe nxitjen e rritjes ekonomike që mundëson një të ardhme të begatë për të gjithë qytetarët e Kosovës”, thuhet në letrën të cilën presidenti Biden i ka dërguar ushtrueses së detyrës së presidentit të Kosovës, Vjosa Osmani, me rastin e 17 shkurtit Ditës së Pavarësisë së Kosovës. Në letër, presidenti Biden thekson se lidhjet mes njerëzve të të dyja vendeve mbeten të fuqishme, bazuar në angazhimin e përbashkët për zhvillimin e vazhdueshëm të Kosovës si një vend sovran, i pavarur, multietnik dhe demokratik. “Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbeten partner dhe mik i përkushtuar i Kosovës në këto përpjekje. Ndërkaq për mua personalisht, Kosova vazhdon të mbajë një vend të veçantë për familjen Biden, në shenjë respekti të kohës gjatë së cilës djali ynë i ndjerë Beau Biden punoi për ta siguruar paqen, drejtësinë dhe shtetin e së drejtës për të gjithë qytetarët e Kosovës”, thuhet në letër. Shtetet e Bashkuara janë ndër vendet e para që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës. Sipas të dhënave, që nga viti 1999, Qeveria e SHBA-së ka investuar në Kosovë rreth 2 miliardë dollarë.