RAMA: SHQIPËRIA ENDE LARG STANDARDEVE TË BE-së PËR SIGURINË USHQIMORE

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama theksoi se sfida kryesore e Shqipërisë në procesin e integrimit europian mbetet sektori i prodhimit ushqimor dhe siguria ushqimore.

Sipas Ramës, Shqipëria aktualisht nuk i përmbush kriteret e Bashkimit Europian në këtë fushë, çka e bën vendin të paintegrueshëm pa një periudhë përgatitore. Për këtë arsye, qeveria shqiptare po negocion me BE-në një fazë të ndërmjetme prej 5 vitesh pas anëtarësimit, për t’i dhënë kohë vendit të përshtatet me standardet europiane.

“Beteja kryesore është për sektorin e prodhimit ushqimor. Për të gjithë prodhuesit në fshat, për sipërmarrjen që përpunon prodhimet ushqimore. Në kushtet e sotme, jemi të paintegrueshëm në BE për shkak të nivelit të pamjaftueshëm të sigurisë ushqimore sipas kritereve të BE.

Për këtë arsye po përpiqemi të fitojmë një fazë të ndërmjetme prej 5 vitesh pas anëtarësimit,. Vitet kalojnë shpejt dhe  përgatitjet duhet të fillojnë tani. Në raport me kriteret e sigurisë ushqimore të BE, jemi ende larg”, u shpreh Rama.

Ai paralajmëroi se në momentin e anëtarësimit dhe pas përfundimit të periudhës tranzitore, asnjë produkt ushqimor i prodhuar në Shqipëri nuk do të mund të shitet, as brenda vendit dhe as jashtë tij, nëse nuk përmbush standardet e BE-së. Madje, edhe në tregun vendas, produktet që nuk plotësojnë kriteret e sigurisë mund të bllokohen.

Në skenarin më pesimist, Rama tha se vendi rrezikon të përfundojë duke importuar pothuajse të gjithë ushqimin.

“Në momentin e anëtarësimit dhe pastaj në momentin kur përfundon periudha e ndërmjetme, asnjë ushqim i prodhuar në Shqipëri s’mund të shitet përveçse në Shqipëri.

Dhe edhe në Shqipëri, do funksionojnë kriteret e njëjta, që edhe në Shqipëri ushqimet mund të bllokohen se nuk përmbushin kriteret e sigurisë. Pastaj në skenarin më pesimist do të thotë që gjithçka të hahet, do importohet”, shtoi ai.

Për këtë arsye, kryeministri kërkoi angazhim maksimal dhe vendosmëri nga institucionet shtetërore, duke theksuar se nuk do të ketë tolerancë për shkeljet në emër të vazhdimësisë së punës.

“Për këtë arsye, duhet një super punë dhe vendosmëri nga ana jonë si vendimmarrës për të mos falur asgjë dhe askënd në emër të nevojës që të vazhdojë të punojë. Gjithkush do duhet të vendoset në pozita të forta punë. Në rastin më të mirë janë vetëm 10 vite para, në rast se do llogarisim 2030 si periudhën që do jemi ulur në tryezën e BE dhe 5 vitet që uroj dhe shpresoj do e sigurojmë duke negociuar me BE-në. Puna për të bërë është shumë e madhe”, u shpreh ai.

Rama nënvizoi se Shqipëria ka në dispozicion rreth 10 vite për t’u përgatitur realisht, duke marrë si pikë referimi vitin 2030 për përmbylljen e negociatave dhe 5 vitet e periudhës tranzitore që shpresohet të sigurohen nga BE-ja.

“Ne në momentin që flasim, përmes skuadrës së negociatave, jemi duke negociuar periudhat e ndërmjetme pas momentit të anëtarësimit, që ti japim mundësi vendit të jetë i gatshëm të përmbushë të gjitha kriteret të qenit bashkë si familje europiane. Kjo është diçka që është pjesë e mekanizmit të anëtarësimit. Është diçka që e kanë bërë dhe vende përpara nesh”, përfundoi kryeministri, duke e cilësuar këtë fazë si vendimtare për të ardhmen evropiane të vendit.

SHARE