HYN NË FUQI VENDIMI PËR PAGËN MINIMALE / KOSOVË, NGA JANARI 425 EURO DHE 500 EURO NË KORRIK

Qeveria e Kosovës ka miratuar vendimin për rritjen e pagës minimale, duke përcaktuar dy faza të reja të rritjes gjatë vitit 2026.

Sipas vendimit zyrtar të publikuar më 31 tetor 2025, të nënshkruar nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti, paga minimale do të arrijë në 425 euro bruto duke filluar nga 1 janari 2026, për punë të rregullt me orar të plotë.

Ndërsa nga 1 korriku 2026, paga minimale do të rritet në 500 euro bruto, po ashtu për punë të rregullt me orar të plotë.

Vendimi parasheh që Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, Administrata Tatimore e Kosovës dhe Inspektorati i Punës të obligohen për zbatimin e tij.

Kjo rritje e pagës minimale pritet të prekë rreth 150 mijë të punësuar në sektorin privat.

Kosova, deri më tani, ka pasur pagën minimale më të ulët në Evropë, prej 350 eurosh, ndërsa paga minimale më e lartë në kontinent është regjistruar në Luksemburg, me 2.571 euro.

Lëvizja Vetëvendosje (LVV), e udhëhequr nga kryeministri në detyrë Albin Kurti, ka fituar zgjedhjet e 28 dhjetorit, duke siguruar 57 ulëse në Kuvend. Kurti ka deklaruar se synon formimin e shpejtë të institucioneve të reja, pas certifikimit zyrtar të rezultateve zgjedhore.

SHARE