PRESIDENTJA OSMANI PRITI NË TAKIM EKIPIN E MISIONIT VËZHGUES TË ZGJEDHJEVE TË BE-së

Foto: president-ksgov.net

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur në takim ekipin e Misionit Vëzhgues të Zgjedhjeve të Bashkimit Evropian (BE), të kryesuar nga Nathalie Loiseau, njëherësh deputete e Parlamentit Evropian, transmeton Anadolu.

Siç njofton Zyra e Presidentes së Kosovës, ky takim u zhvillua në kuadër të angazhimeve të përbashkëta për të siguruar një proces zgjedhor të lirë, të ndershëm dhe demokratik në zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të cilat do të mbahen më 9 shkurt në Kosovë.

Gjatë takimit, Presidentja Osmani dhe Kryesuesja Loiseau diskutuan rëndësinë e një procesi zgjedhor të lirë, të ndershëm dhe transparent, duke nënvizuar se Kosova tashmë ka dëshmuar përkushtimin e saj në organizimin e zgjedhjeve demokratike.

Presidentja Osmani nëpërmjet një letre të dërguar më 3 shtator 2024 Përfaqësuesit të Lartë të atëhershëm të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, kërkoi dërgimin e një Misioni të Vëzhgimit të Zgjedhjeve.

Në takim me Loiseau, presidentja Osmani ka ritheksuar kërkesën e bërë edhe në letrën dërguar Borrel, në mënyrë që ky mision të përfshijë gjithashtu një fokus të veçantë në përfaqësimin e grave në të gjitha fazat e procesit zgjedhor. Në këtë kontekst, Presidentja Osmani, gjithashtu ritheksoi kërkesën që ky Mision, të fokusohet edhe në respektimin e të drejtave të personave me aftësi të kufizuara, posaçërisht sa i përket qasjes së tyre në vendvotime.

“Presidentja Osmani, bazuar në raportet e mbarëvajtjes së zgjedhjeve të kaluara, përfshirë raportet e misioneve vëzhguese të BE-së, të cilat kanë konstatuar se në komunat veriore të Republikës së Kosovës ka pasur ndërhyrje të paligjshme, frikësim dhe pengim të realizimit të së drejtës për votim të lirë, shtroi nevojën që vëzhguesit e këtij Misioni të BE-së, të sigurohen se e monitorojnë se a po realizohet e drejta e votës së lirë në plotësi, konform standardeve më të larta demokratike në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim.

Bashkimi Evropian dhe misionet e tij kanë qenë të angazhuara në vëzhgimin e zgjedhjeve në Kosovë nga viti 2013.

Zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit 2025 janë zgjedhjet e para të rregullta sipas Ligjit të ri për Zgjedhjet e Përgjithshme.

SHARE