NËNSHKRUHET MEMORANDUMI I MIRËKUPTIMIT NË FUSHËN E REFORMËS SË ADMINISTRATËS PUBLIKE

Foto: Qeveria e Malit të Zi / Vlada Crne Gore

Ministri i Administratës Publike, Marash Dukaj, nënshkroi sot një Memorandum Mirëkuptimi në fushën e reformës së administratës publike me ministrin e Administratës Publike të Italisë, Paolo Zangrillo.

Ky është memorandumi i parë i lidhur ndërmjet Departamentit Italian të Administratës Publike dhe partnerëve nga rajoni i Ballkanit Perëndimor.

Kjo marrëveshje parashikon organizimin e takimeve të ekspertëve, pjesëmarrjen në konferenca dhe trajnime në fushat e reformës së administratës publike, planifikimin strategjik për përmirësimin e kapaciteteve të punonjësve për të zhvilluar kompetencat e tyre, si dhe aftësitë e tyre drejtuese.

Ministri Dukaj tha: “Jam krenar të nënshkruaj sot Memorandumin e Bashkëpunimit në fushën e reformës së administratës publike në emër të Qeverisë së Malit të Zi me Qeverinë e Italisë. Ky është memorandumi i parë që ky institucion ka nënshkruar me një nga vendet anëtare të Ballkanit Perëndimor, Malin e Zi. Qëllimi është forcimi i bashkëpunimit dypalësh dhe shkëmbimi i përvojave në fushën e reformës së administratës publike, si dhe përmirësimi i kapaciteteve të punonjësve të administratës publike për arritjen e standardeve evropiane.“

Ministri Dukaj mëtutje potencoi rëndësinë që Mali i Zi i kushton reformës së administratës publike dhe zbatimit të zgjidhjeve digjitale me qëllim të përmirësimit të efikasitetit, transparencës dhe aksesit të shërbimeve publike. Ai theksoi se bashkëpunimi me Italinë, si një vend me përvojë të pasur në këtë fushë, është i një rëndësie të jashtëzakonshme për zhvillimin dhe zbatimin e mëtejshëm të praktikave të mira në Mal të Zi.

Ministri Zangrillo theksoi: “Kam kënaqësinë të pres për herë të dytë kolegun tim Marash Dukaj në Pallatin Vidoni. Krahasuar me takimin tonë të fundit, kam pasur kënaqësinë të konstatoj progres të rëndësishëm në procesin e modernizimit të administratës publike të Malit të Zi, në kontekstin më të gjerë të afrimit me institucionet evropiane. Memorandumi që nënshkruam sot i përshtatet këtij kuadri bashkëpunimi mes dy vendeve mike. Rekrutimi i burimeve njerëzore, kompetencat e lidershipit publik dhe trajnimi, duke përfshirë edhe fushat e sigurisë kibernetike, mund të jenë fusha kyçe mbi të cilat ne do të bazojmë këtë bashkëpunim të frytshëm dhe shkëmbim të praktikave më të mira”.

Në fund, bashkëbiseduesit ranë dakord që në muajt në vijim të nisin aktivitetet e para trajnuese ndërmjet Italisë dhe Malit të Zi, me takimin e parë të planifikuar në Romë në pranverë.

SHARE