IZRAELI DHE HAMASI ARRIJNË MARRËVESHJE PËR ARMËPUSHIM DHE PENGJE

Foto: shqiptarja.com

Izraeli dhe Hamasi kanë arritur marrëveshje të mërkurën për ndaljen e luftimeve në Rripin e Gazës dhe për këmbimin e pengjeve izraelite me të burgosur palestinezë.

Presidenti amerikan në shkuarje, Joe Biden, tha në një komunikatë se marrëveshja për armëpushim dhe lirimin e pengjeve izraelite do t’u japë fund luftimeve 15-mujore në Gazë, si dhe do ta mundësojë rritjen e ndihmave humanitare për civilët palestinezë.

“Ky është rezultat jo vetëm i trysnisë ekstreme me të cilën është përballur Hamasi, dhe ndryshimeve në rajon pas një armëpushimi në Liban dhe dobësimit të Iranit – por edhe i diplomacisë së palodhshme dhe të mundimshme amerikane. Diplomacia ime nuk ka pushuar asnjëherë në përpjekjet për ta arritur këtë”, tha Biden.

Biden tha se armëpushimi gjashtëjavor do të mundësojë negociata për të arritur një fund të përhershëm të luftës. Ai shtoi se, nëse negociatat do të zgjasin më shumë se gjashtë javë, armëpushimi do të vazhdojë për aq kohë sa bisedimet do të vazhdojnë.

Marrëveshja pason muaj negociatash me ndërprerje, të cilat u ndërmjetësuan nga Egjipti dhe Katari, me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara, dhe u arrit pak para inaugurimit të presidentit të zgjedhur të SHBA-së, Donald Trump, më 20 janar.

Biden theksoi se administrata e tij ka negociuar marrëveshjen, por ekipi i Trumpit do të ngarkohet së shpejti me detyrë e mbikëqyrjes së zbatimit të saj. Dërguari i Trumpit për Lindjen e Mesme, Steve Witkoff, ishte bashkuar me këshilltarin e Lindjes së Mesme të Shtëpisë së Bardhë, Brett McGurk, për finalizimin e negociatat në Doha.

“Në ditët e fundit, ne kemi folur si një ekip i vetëm”, tha Biden.

Kryeministri i Katarit Mohammed bin Abdulrahman Al Thani, njoftoi se marrëveshja do të hyjë në fuqi më 19 janar.

Më herët, zyra e kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, tha se marrëveshja për armëpushim me Hamasin nuk është arritur ende dhe se është duke u vendosur për hollësitë e fundit të saj.

Në një komunikatë, ajo tha se shpreson se “hollësitë do të zgjidhen në orët në vijim”.

Hamasi – i cili është i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – nuk është deklaruar ende.

SHARE