Mbështetja e Malit të Zi për anëtarësimin e Finlandës në NATO është shprehje e marrëdhënieve të shkëlqyera mes Malit të Zi dhe Finlandës dhe një mundësi për të forcuar bashkëpunimin e përgjithshëm që do të forcohet me anëtarësimin e Malit të Zi në Bashkimin Evropian.
Ky është konkludimi i takimit i cili u mbajt në mes kryeministrit të Malit të Zi Millojko Spajiq dhe ministres së Punëve të Jashtme të Finlandës, Elina Valtonen.
Në margjinat e Forumit të 54-të Ekonomik Botëror në Davos, kryeministri Spajiq dhe ministrja Valtonen diskutuan dinamikën e përmbushjes së standardeve në kapitujt 23 dhe 24 dhe vlerësuan se Konferenca e ardhshme Ndërqeveritare e Malit të Zi dhe Bashkimit Evropian do t’i japë një shtysë të fortë dinamizimit të procesit të negociatave.
Një nxitje e veçantë për zhvillimin e mëtejshëm të Malit të Zi, siç vlerësohet, është Plani i Rritjes si një mekanizëm i fuqishëm i Bashkimit Evropian për të mbështetur arritjen e standardeve evropiane në fusha të ndryshme.
Bashkëbiseduesit vlerësuan se mbyllja e kapitujve është rezultat i punës së përkushtuar të Qeverisë dhe Kuvendit dhe se është një sinjal i mirë për Bashkimin Evropian se ekziston një nivel i nevojshëm i stabilitetit politik që garanton funksionalitetin e institucioneve dhe vazhdimësinë në vazhdimin e procesit integrues.
Bashkëbiseduesit shkëmbyen mendime për situatën në Evropë dhe theksuan rëndësinë e mbështetjes së mëtejshme për Ukrainën.
Në këtë kontekst, ministrja finlandeze përshëndeti veçanërisht përafrimin e plotë të Malit të Zi me politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë të Bashkimit Evropian.
Në takim u vlerësua se marrëdhëniet e mira politike paraqesin një bazë solide për përmirësimin e bashkëpunimit ekonomik, veçanërisht në fushën e energjisë dhe minierave, dhe se për të forcuar shkëmbimin turistik, është e nevojshme të konsiderohet krijimi i një linje ajrore direkte gjatë gjithë vitit.