BE-ja DHE SHBA-ja “NË TË NJËJTËN LINJË” PËR BALLKANIN PERËNDIMOR

Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara janë në të njëjtën linjë sa i përket Ballkanit Perëndimor, tha i dërguari i bllokut për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak.

Lajçak në Davos të Zvicrës u takua me ndihmësekretarin amerikan të Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, James O’Brien.

Sipas të dërguarit të BE-së, ata biseduan për rajonin e Ballkanit Perëndimor.

“Kam nisur javën në Davos me një takim O’Brien. Ishte e rëndësishme zhvillimi i kësaj bisede lidhur me Ballkanin në fillim të këtij viti. Ne duam të shohim rajonin duke lëvizur përpara dhe që qytetarët e tij të përfitojnë. Më vjen mirë që rikonfrmuam se ne jemi plotësisht në të njëjtën linjë”, shkroi Lajçak në X, që më herët njihej si Twitter.

I dërguari special i Bashkimit Evropian për dialog, Mirosllav Lajçak, dhe zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, u takuan të hënën në Vjenë për të diskutuar për një varg çështjesh në lidhje me bisedimet mes Kosovës dhe Serbisë, në vëçanti për nevojën e zbatimit të menjëhershëm të një marrëveshjeje mes dy vendeve fqinje për normalizimin e marrëdhënieve.

Lajçaku shkroi të hënën pasdite në rrjetin social X se u pajtua me Bislimin se zbatimi i menjëhershëm i marrëveshjes drejt normalizimit mes Kosovës dhe Serbisë “është urgjencë”.

Ai iu referuar Marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve dhe Aneksit për zbatimin e saj, për të cilat Kosova dhe Serbia u pajtuan në fillim të vitit të kaluar gjatë dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja. Marrëveshja nuk është zbatuar asnjëherë, pavarësisht trysnisë ndërkombëtare që ato ta zbatojnë atë.

SHARE