MINITRI DUKAJ VIZITOI KOMUNËN E ULQINIT

Ministri i Administratës Publike, Marash Dukaj, me bashkëpunëtorët e tij, ka vizituar komunën e Ulqinit, gjatë së cilës ka takuar kryetarin e komunës, Omer Bajraktari dhe bashkëpunëtorët e tij.

Gjatë takimit, Dukaj dhe Barjaktari diskutuan për tema të shumta që kanë të bëjnë me funksionimin e Komunës së Ulqinit, projektet aktuale, reformën e administratës publike në të gjitha nivelet, me theks të veçantë në reformën e vetëqeverisjes lokale, si dhe modalitetet për përmirësimin e bashkëpunimit me Ministrinë përkatëse. “Ne jemi plotësisht të përkushtuar ndaj procesit të decentralizimit të sistemit në Mal të Zi, dhe për rrjedhojë në forcimin e rolit të njësive të vetëqeverisjes lokale në procesin e reformës së administratës publike në nivel lokal, me qëllim përmirësimin e shërbimeve të ofruara për qytetarët por edhe të organizimit të sistemit të menaxhimit në të gjitha fushat në kuadër të fushës së punës. Në këtë kuptim, ne jemi duke realizuar aktivitete në fushën e përmirësimit të kornizës legjislative, sigurisë kibernetike, digjitalizimit dhe shërbimeve elektronike, rreth të cilave mund të mblidhemi së bashku, për të zgjidhur sfidat e shumta në bashkëpunim ekipor”, tha Dukaj. Dukaj tha se Ministria e Administratës Publike do t’i japë mbështetje të plotë zhvillimit të mëtutjeshëm të vetëqeverisjes lokale, me qëllim të ofrimit efikas të shërbimeve për qytetarët, si dhe theksoi rëndësinë e vendosjes së bashkëpunimit në fushën e qeverisjes elektronike në mënyrë që të krijojë një administratë publike efikase dhe ekonomike. Ai i prezantoi projektet aktuale të Ministrisë, zgjidhjet ligjore në lidhje me reformën e administratës dhe si do të ndikojnë ato në punën e pushtetit vendor. Ai inkurajoi Komunën e Ulqinit që në mënyrë më aktive të monitorojë dhe të marrë pjesë në programet e Ministrisë dhe se nuk do të mungojë përkrahja në këtë drejtim.

Bajrakatari e njoftoi ministrin Dukaj për riorganizimin e fundit të sekretariatit dhe shërbimeve të Komunës së Ulqinit, i cili tashmë po jep rezultate të dukshme, dhe theksoi se është riorganizimi i parë serioz pas disa dekadash, i cili ishte i nevojshëm për t’iu përgjigjur nevojave aktuale moderne të shoqërisë. “Kemi rishikuar dokumentin strategjik dhe organizimin e punës e kemi përshtatur me prioritetet që i kemi parashtruar dhe kemi vlerësuar se mund t’i arrijmë realisht”, theksoi Bajraktari. Ai tha se Komuna e Ulqinit përpiqet për digjitalizim më të madh të shërbimeve publike, forcimin e mëtejmë të kapaciteteve njerëzore dhe profesionalizimin e administratës lokale dhe se pret ndihmë dhe mbështetje nga Ministria në këtë drejtim.

SHARE