Bernard Çobaj: Sankofa – e kaluara si udhërrëfyes për planifikimin e së ardhmes

Takova Filen 77-vjeçare, të bijën e Qamile Brashnjes, në shtëpinë e saj. Përderisa ajo nuk mbante në mend shumë për të kaluarën e saj, ose të paraardhësve të saj afrikanë, më ranë në sy ngjyra e lëkurës së saj e errët dhe karakteristikat shumë të shquara afrikane të fytyrës së saj. Duart e saj ishin shumë të mëdha dhe të shtrembëruara prej jetës së vështirë, punës së rëndë, ashtu si i kishte edhe kurrizin dhe gjunjët. Tek ajo unë pashë trashëgiminë e skllavërisë siç e kam parë atë në foto, vetëm se këtë herë ajo ishte shumë e vërtetë.

Studiuesja amerikane Paula Royster kështu përshkruan takimin me afro-ulqinaken e fundit, File Kastratin, që me 11 janar u nda nga jeta në moshën 89-vjeçare. Ajo ishte afro-ulqinakja e fundit, gjegjësisht personi me të dy prindër zezakë (harapë).

Përshkrimi u bë pjesë e librit I.Am.Arapi i Paula Royster dalë nga shtypi në vitin 2019, ku në mënyrë studioze trajtohet tema e tregtisë transatlantike e skllevërve dhe prejardhja e familjeve afro-ulqinake, që kështu u bënë pjesë e kujtesës së institucionalizuar.

Paula, mes tjerash, po ashtu shkroi:

Për një vit, unë kam studiuar emrat e fiseve afrikane të zënë kurth brenda mëkateve të tregtisë me skllevër; kam kërkuar nëpër ndërrimet e mbretërive dhe luftërave, kam kërkuar mes përkthimeve të Ibn Haldunit dhe Leo Afrikanit , herë me sukses herë pa sukses, derisa takova atë. 

Këtu i referohet Halime Shurdhes, që mbeti në Shkodër kur u mbyllën kufijtë midis Shqipërisë dhe ish-Jugosllavisë.

Në libër, Paula shton:

Një grua, Halima Arapi, nuk e harroi kurrë emrin e popullit të babait të saj: Ābergelēs. Kërkimi për Ābergelēs në hartat historike gjeti Ābergelēs në Sudan dhe kërkimi zbuloi gjithashtu informacione të reja rreth Ābergelēs, marrëdhëniet e tyre me origjinën e njerëzimit, në Izraelin e lashtë dhe se si hartografia përdorej për të justifikuar skllavërimin e të Tjerëve, të cilët të krishterët evropianë mendonin se ishin të privuar nga mëshira e Zotit.

Për Leonin Afrikan, Amin Malufi ka shkruar një novelë me të njëjtin emër, të përshkruar në tekstin Universi malufian.

Para se të shpjegoj si erdhi deri te vizita e studiueses Paula Royster në Ulqin, dua tʼi shpjegoj pak rrugët jetësore që më ofruan kulturës afrikane dhe afroamerikane.

Gjithë filloi me vizitë Afrikës së jugut në vitin 2001, falë propozimit të OJQ Horizonti i Ri. Atë vitë mora pjesë në Konferencën Botërore kundër Racizmit, të organizuar nga OKB në Durban të Afrikës së Jugut. Isha pjesë e grupit nga vendet e ish-Jugosllavisë (përveç Sllovenisë). Vizitën e ka organizuar OJQ Crabgrass nga SHBA, ku ishte i angazhuar edhe kryebashkiaku aktual i Tiranës, z. Erjon Veliaj.

Përgatitja për udhëtim pati shumë peripeci, duke u nisur nga inolukimet e ndryshme, marrja e vizës në Athinë si dhe procesi i marrjes së vizës për Austri dhe Angli, ku u ndalëm shkurt në procesin e parapërgatitjes.

Gjatë programit intensiv të qëndrimit dhe vizitave nëpër vende të ndryshme, përfshirë edhe  shtëpinë e dikurshme të Nelson Mandela në Soveto, morëm pjesë në festivalin e filmit kundër racizmit.

Në kuadër të festivalit, shikuam filmin Sankofa, të regjisorit Haile Gerima, me të cilin biseduam pas filmit. Filmi goditi rëndë botën e njohurive të mia për historinë e skllavërisë – hapi dritaren e të kuptuarit më të thellë të pozitës së afrikanëve të shtypur për qindra vite të tera në forma më brutale. Nga ana e të civilizuarve, ku përsëri mund tʼi kthehemi Klod Levi Shtrosit, akademikut francez, të cilin e zëvendësoi Amin Malufi, që i kushtoi pjesë të madhe akademike çështjeve të raportit të atyre kinse të civilizuarvekundrejt atyre të pacivilizuarve – apo siç e quajti Shtrosi krizën e progresit(përmendur te pjesa e fundit e shkrimit Universi malufian).

Por katrorizimi i rrethit ndodhi me vizitën e lartpërmendur e profesoreshës Paula Royster në Ulqin, në vitin 2013.

Në atë kohë, ambasadorja e SHBA, Sue K. Brown, afroamerikane, merr e-mail nga Paula Royster, e cila i tregon se qyteti i Ulqinit përmendet shpesh në dokumentet e saj si një pikë e tregtisë otomane me skllevër nga Afrika. Ambasadorja ma përcjell e-mailin dhe kështu nisim komunikimin që rezultoi me përpilimin e projektit për vizitë studimore, gjë që u  realizua me sukses.

Në komunikimin tonë ia përmenda filmin Sankofa që kisha parë në Afrikë të Jugut dhe Paula më njoftoi se organizata e saj realizon një projekt me atë emër dhe se regjisorin Haile Gerima e ka mik të afërt. Çfarë koincidence!

Simbolin e Sankofes do ta shoh në disa vende në Ulqin. Filmin do ta sjellë me vete – do tʼia prezantojë publikut të ngushtë në hapësirat e OJQ Horizonti i Ri, si organizatës lokale që zbatoi programin e qëndrimit të Paula Royster në Ulqin.

Sankofa si nocion mëson se duhet të kthehemi te rrënjët tona për të ecur përpara. Kjo do të thotë, ne duhet të kthehemi prapa dhe të mbledhim më të mirën e asaj që ka për të na mësuar e kaluara jonë, në mënyrë që të arrijmë potencialin tonë të plotë ndërsa ecim përpara. Çfarëdo që kemi humbur, harruar mund të rikuperohet, ringjallet, ruhet dhe përjetësohet.

Në mënyra vizuale dhe simbolike, Sankofa shprehet si një zog mitik që fluturon përpara ndërsa shikon prapa me një vezë (që simbolizon të ardhmen) në gojë. Kjo lidhet me moton tonë: “Për të kuptuar të tashmen tonë dhe për të siguruar të ardhmen tonë, ne duhet të njohim të kaluarën tonë”.

Paula Royster disa herë u shpreh se duhet të bëjmë projekte në komunitet ku të rinjtë nëpërmes celularëve apo formave tjera të incizojnë tregimet e familjarëve të vetë. Në këtë mënyrë ruajmë trashëgiminë tonë. Nëse se bëjmë, të tjerët do ta shkruajnë për ne. Iniciativa e nisur për të përpiluar trungjet familjare dhe për tʼi grumbulluar në një vend – arkiv i përbashkët digjital – flen mirë me zbatimin e konceptit të sankofes në vendin tonë.

Përvojat me artistë afro-amerikanë ishin të shumta. Mes tjerash, morra pjesë në organizimin e dy vizitave të “gospel koreve” afro-amerikane në Mal të Zi dhe artistëve të ndryshëm afro-amerikan.

Në stadiumin e madh të kriketit në Durban, gjatë vizitës studimore në Afrikë të Jugut, e njoha aktorin e mirënjohur Danny Glover, të famshëm për rolin e tij në filmin Lethal Weapon.

Gjatë përvojës jugoafrikane vizitova zonën Kvazulu Natal ku folkloret lokale na pasqyruan vallëzimet tradicionale. Në lojën e bukur të fatit, ndodhë që në vitin 2012, në Ulqin të performoi trupa vallëzuese nga Uashingtoni Step Afrika që, gjatë shkëmbimit të përvojave me shkollën e vallëzimit Porta di Danza, dalluan hapat afrikanë menjëherë te Dum sharavelit dhe u fascinuan kur mësuan për historinë e familjeve afrikane në Ulqin. Ato në Pinjesh, në Fushën e Harapit janë tubuar dhe kanë kërcyer vallen e tyre “Dum Sharaveli”, që sot është pjesë e folklorit të Ulqinit. Në afërsi gjendet tyrbja e njohur e Harapit.

Për tyrben Paula shkruan:

Një zbulim tjetër  ishte ky vendvarrim i një bariu Afrikan  pa emër i cili ishte vrarë. Varrimet tradicionale afrikane diktojnë që anëtarët e familjes mbretërore të varrosen nën një pemë -me kokë të pozicionuar në drejtim të lindjes së diellit (agimi) dhe këmbë në perëndim (muzg). Afërsia dhe pozicionimi i këtij varri tregojnë se kushdo të ketë qenë ky person, u respektuan trashëgimia e tij afrikane dhe ritet funerale. Unë jam në pritje të kujtdo që mund të dijë detajet e fatit të këtij njeriu, përfshirë edhe emrin e tij.

Pavarësisht se Step Afrika shpesh performon në qendra si Londra, Berlini, Vjena, Sidnej, Zagreb, Kajro, etj ngrohtësinë që përjetuan në Ulqin, sipas drejtorit artistik të tyre, C.Brian Williams, nuk e përjetuan askund.

Që një thënie e tillë nuk ishte cliche,  e vërtetova me 2015 në Uashington, ku gjatë darkës, C. Brian Williams ma përsëriti ndjenjën e Ulqinit për të cilin anëtarët e grupit shpesh flasin.

Në fund po e mbylli me fjalët e Paules:

Ne kemi më shumë gjëra të përbashkëta, se që kemi dallime dhe vizita ime në Ulqin dëshmoi edhe një herë se bota është një vend shumë i vogël dhe fatet tona janë të lidhura që nga koha kur Mbretëresha Hatshepsut dërgoi misionin e parë tregtar me paraardhësit e saj të lashtë në Etiopi për të mbjellë farën e komunitetit të globalizuar në të cilin jetojmë sot. Si qytetarë të botës, ne duhet të gjejmë mënyra për të përqafuar njëri-tjetrin si familje e zgjeruar njerëzore, po qoftë edhe një nga një.

SHARE