Foto: Qeveria e Malit të Zi / Vlada Crne Gore
Zhvillimi i infrastrukturës së internetit me shpejtësi të lartë përbën themelin e ekonomisë digjitale dhe një hap të rëndësishëm drejt modernizimit të shoqërisë, njoftoi zv/kryeministri për Politikë Ekonomike dhe ministrër i Zhvillimit Ekonomik, Nik Gjeloshaj.
Gjeloshaj, së bashku me sekretaren shtetërore të Ministrisë, Ana Raiçeviq, zhvilluan sot një takim me Remon Zakaria, shefin e zyrës së Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (EBRD) në Mal të Zi, si dhe me shefin e bashkëpunimit të Delegacionit të BE-së, Bernard Brunet.
Gjatë takimit u diskutua vazhdimi i bashkëpunimit për realizimin e projektit “Zhvillimi i Infrastrukturës për Internet me Shpejtësi të Lartë”, një nga iniciativat kryesore strategjike në fushën e transformimit digjital të Malit të Zi.
Projekti synon të sigurojë ndërtimin e një infrastrukture moderne, të shpejtë dhe të sigurt të internetit, e cila do të jetë e aksesueshme për të gjitha familjet, subjekteve ekonomike, institucioneve arsimore dhe shëndetësore, duke krijuar kushte për zhvillim të qëndrueshëm shoqëror-ekonomik dhe rritjen e konkurrencës së ekonomisë.
“Zhvillimi i infrastrukturës së internetit me shpejtësi të lartë përbën themelin e ekonomisë digjitale dhe një hap të rëndësishëm drejt modernizimit të shoqërisë sonë. Vlerësojmë mbështetjen e vazhdueshme dhe udhëzimet profesionale të Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim dhe Bashkimit Evropian”, deklaroi Gjeloshaj.
Ministria e Zhvillimit Ekonomik dhe Qeveria e Malit të Zi mbeten të përkushtuara fuqishëm në forcimin e kapaciteteve institucionale dhe thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit me Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim dhe Bashkimin Evropian, duke u fokusuar në implementimin e projekteve në kohë dhe me cilësi të lartë.









