Sot, në QKI “Malësia” në Tuz, me një ceremoni solemne u përkujtua 79 vjetori i çlirimit të Tuzit nga forcat naziste.
Në këtë solemnitet, ku morën pjesë figura të shquara nga politika, biznesi, institucionet shtetërore, përveç programit artistik, u bë edhe ndarja e çmimit ,,15 Dhjetori – Dita e Çlirimit të Tuzit”.
Për këtë vit Juria për ndarjen e çmimit përzgjodhi si fitues, Evalld Krniq – për arritjet në fushën e sportit – kërcimet sportive nga lartësia në ujë – promovimi i komunës së Tuzit në garat kombëtare dhe ndërkombëtare.
Po ashtu, kryetari i komunës së Tuzit, Lindon Gjelaj, përmes rrjetit social „Facebook“ ka uruar 15 Dhjetorin – Ditën e Çlirimit të Tuzit, duke theksuar se 15 Dhjetori përfaqëson një datë të rëndësishme për të kujtuar të kaluarën me ftesë për të punuar së bashku për një të ardhme më të mirë.
„Kujtojmë me respekt të gjithë ata që kontribuan për çlirimin e vendit duke na vendosur në anën e drejtë të historisë, aty ku Malësia ishte gjithmonë! Kujtojmë me krenari luftën e të gjithë atyre që vazhduan të ishin në mbrojtjen e të drejtës së popullit për jetë në liri. Gëzuar Ditën e Çlirimit!,“ thuhet në urimin e kryetarit Gjelaj.