Punëtorët që kanë nevojë për një alarm zgjimi janë më të lodhur se ata që zgjohen pa një të tillë, sipas një studimi amerikan me 450 punonjës të zyrave.
Gjatë studimit, shkencëtarët matën gjatësinë e tyre të gjumit dhe rrahjet e zemrës me ndihmën e pajisjeve portative.
Rreth 57 për qind e tyre u zgjuan me ndihmën e një alarmi dhe, si rregull, ishin më të uritur se ata që zgjoheshin natyrshëm sepse alarmi ua prishi ciklin natyror të gjumit, njoftuan shkencëtarët nga Universiteti i Notre Dame në Indiana, raporton The Independent.
Në të kundërt, njerëzit që zgjoheshin në mënyrë natyrale flinin më gjatë dhe pinin më pak kafeinë gjatë ditës. Ata gjithashtu ndiheshin më pak të lodhur gjatë ditës.
Kur zgjohemi natyrshëm, thonë shkencëtarët, trupi aktivizon “përgjigjen ndaj stresit” pak para se të zgjohet për të na përgatitur për të dhe për të na zgjuar.
Por zgjimi nga tingulli i alarmit e kapërcen atë përgjigje natyrale dhe prish ciklin e gjumit.
Të ashtuquajturit zogj të natës përdorën më së shumti alarmin dhe u prekën më shumë nga lodhja, sipas një studimi të publikuar në revistën Sleep.
Po ata që vonojnë zgjimin edhe për pesë apo dhjetë minuta pas alarmit të parë?
Me alarmin e mëngjesit fillimisht duhet të mendoni se është koha për t’u ngritur dhe jo se duhet të flini më gjatë, sepse mungesën e gjumit nuk do ta zgjidhim duke vonuar alarmin.
Cikli i gjumit është një gjendje restauruese, e njohur më mirë si REM, dhe është periudha gjatë së cilës ne ëndërrojmë. Pesë ose 15 minuta gjumë që marrim pas shtyrjes së alarmit, definitivisht nuk janë ashtu, sepse gjatë asaj periudhe nuk do të kemi më të mirën nga procesi i gjumit.
Shtyrja e alarmit nuk luan ndonjë rol, shkroi profesori i Notre Dame Aaron Strigel në revistën Sleep.
“Qëllimi i këtij hulumtimi ishte pjesërisht dëshira për të çmitizuar atë që ndodh në raste të tilla”, ka shkruar ai, transmeton KP.
Ai shtoi se nga të dhënat e tyre mund të konstatohet se zgjimi me alarm i menjëhershëm apo përdorimi i opsionit për të vonuar zgjimin, me dy apo tre alarme, nuk bën dallim.
“Është problematike nëse keni nevojë për një alarm sepse jeni të privuar kronikisht nga gjumi”, tha profesori.