Kosova edhe zyrtarisht ka aplikuar për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Kryeministri Albin Kurti ia ka dorëzuar aplikimin ministrit të Çekisë për Çështje Evropiane, Mateus Bek. „Letra që e kam sjellë bart shpresat dhe ëndrrat e qytetarëve tanë që kanë punuar me shumë zell për të arritur në këtë ditë. Një mesatare prej 9 vjetësh për anëtarësim të plotë është reale për Republikën e Kosovës”. Ministri çek e ka konsideruar nder që të pranojë aplikimin e Kosovës për anëtarësim në BE, ndërsa ka thënë se gjatë Presidencës së BE-së vëmendje të jashtëzakonshme i kanë kushtuar Ballkanit Perëndimor. “Është nder për mua si kryetar i Këshillit të BE-së të pranoj aplikacionin e Kosovës. Na vjen mirë që kemi arritur të avancojmë tutje çështjen e liberalizimit të vizave për Kosovën. Mirëpres kohën kur do të kem më shumë liri për të folur për politikën evropiane. Qeveria e Çekisë mbështet Kosovën në këtë aspekt”.