ESCOBAR: MALI I ZI DUHET TË ZGJIDHË NGËRÇIN POLITIK DHE TË QËNDROJË NË RRUGËN EUROATLANTIKE

Mali i Zi duhet të zgjidhë ngërçin politik në të cilin është gjetur dhe të mbetet i përkushtuar në rrugën euroatlantike, tha i dërguari special i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar. Kështu ka bërë të ditur Ambasada Amerikane pas takimit të Escobarit me kryeministrin në mandat teknik Dritan Abazoviq. “Ne ndajmë pikëpamjen se Mali i Zi duhet të zgjidhë ngërçin politik në të cilin ndodhet, të mbetet i përkushtuar ndaj rrugës euro-atlantike dhe të kundërshtojë qartë agresionin brutal të Rusisë kundër Ukrainës,” tha Escobar, sipas llogarisë në Twitter të Ambasadës së SHBA-së në Mal të Zi.

I dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, është takuar edhe me presidentin e Malit të Zi, Millo Gjukanoviq dhe sipas Ambasadës Amerikane kanë shprehur shqetësimin lidhur me miratimin e Ligjit për Presidentin. Ata diskutuan edhe për nevojën e zhbllokimit të Gjykatës Kushtetuese dhe shkëmbyen mendime për çështje të ngutshme të sigurisë rajonale. Në një postim në Twitter të presidentit të Malit të Zi, thuhet se ai ka shprehur shqetësimin ekstrem për “funksionalitetin e shtetit në kushtet kur nuk kemi Gjykatë Kushtetuese dhe Qeveria nuk ka konsensus në Kuvend”. “Inkurajim për të gjithë aktorët politikë pro-evropianë dhe pro-euro-atlantikë për t’u fokusuar në një kompromis që do të rezultojë në zgjedhjen e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese dhe do të çojë në zgjedhje të parakohshme si një rrugëdalje e besueshme nga kriza. Çdo gjë tjetër është manipulim, duke përfshirë miratimi i pamatur i Ligjit kundër mendimit të Komisionit të Venecias. Mali i Zi duhet të kthehet në një gjendje normaliteti që i përket një anëtari të besueshëm të NATO-s dhe një vendi që është përgjegjës për realizimin e perspektivës së anëtarësimit në BE përmes reformave”, thuhet në njoftimin e Presidentit në Twitter.

SHARE