SHQIPËRIA E KONSIDERON MALIN E ZI NJË PARTNER TË RËNDËSISHËM RAJONAL

Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë, Olta Xhaçka, priti në takim homologun e saj malazez, Gjorgje Radulloviq, ndërkohë në deklaratën e përbashkët pas takimit në Tiranë folën mbi bashkëpunimin mes dy vendeve, procesin e integrimit evropian dhe çështjen e minoriteteve. Ministrja Xhaçka theksoi se Shqipëria e konsideron Malin e Zi një partner të rëndësishëm rajonal dhe një aleat të pazëvendësueshëm në NATO dhe në të gjithë procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian (BE). Ajo njoftoi se me homologun malazez ka diskutuar edhe për thellimin e marrëdhënieve dypalëshe mbi zbatimin e marrëveshjeve të nënshkruara gjatë mbledhjes së parë të dy qeverive, për hapjen e pikave të reja kufitare, rritjen e investimeve dhe projekteve në zonat ndërkufitare, si dhe për krijimin e paketave të përbashkëta turistike. Kryediplomati malazez tha se bashkëpunimi fqinjësor i mirë është një nga shtyllat e marrëdhënieve të jashtme dhe shtoi se stabiliteti i rajonit është një angazhim që ndërmarrin për të ardhmen. Ai tha se kanë diskutuar edhe për minoritetet të cilat përbëjnë sipas tij një nga shtyllat kryesore që dy vendet duhet të vazhdojnë t’i mbrojnë dhe të respektojnë të drejtat e tyre. Gjatë vizitës së ministrit Radulloviq u nënshkrua edhe memorandumi i bashkëpunimit mes dy akademive diplomatike, me të cilin synohet të konkretizohet rritja e bashkëpunimit mes dy institucioneve.

SHARE