NËNSHKRUHET MEMORANDUMI I BASHKËPUNIMIT

Drejtuesit e Lëvizjes Qytetare URA, Partisë  Socialiste  Popullore, Unionit Qytetar CIVIS, Partisë Boshnjake, Alternativës Shqiptare, Forcës së Re Demokratike dhe Partisë Demokratike nënshkruan sot Memorandumin e  Bashkëpunimit. Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve, kryetari i LQ URA Dritan Abazoviq,  tha se nënshkrimi i memorandumit ishte pakt i pajtimit dhe krijimi i një tryeze, nga e cila, siç shtoi ai,  dërgohet mesazh se Mali i Zi në të ardhmen duhet të sillet ndryshe. Abazoviq theksoi se ky nuk ishte krijimi i një qeverie të pakicës. Kryetar i PSP, Vlladimir Jokoviq tha se ata që sulmojnë memorandumin duhet së pari ta lexojnë atë dhe të thonë se kundër cilës pikë janë. “Kjo nuk është e drejtuar kundër askujt, ka njerëz këtu që duan të negociojnë,” tha Jokoviq. “Unë besoj se me këtë nënshkrim dhe përfshirjen e partive të tjera do të kontribuojmë në zvogëlimin e distancës ndëretnike. Kjo ditë konfirmon se popujt pakicë janë gati për këtë,” tha kryetari i Partisë Boshnjake Ervin Ibrahimoviq. Srdjan Paviqeviq nga CIVIS, tha se sot po punohet në forcimin  e Malit të Zi qytetar, i cili, siç tha ai, është garanci për një të ardhme më të mirë. Kreu i Alternativës Shqiptare, Nik Gjeloshaj, ka vlerësuar se kjo ditë do të mbahet mend në Mal të Zi. “Pas ndryshimit demokratik të qeverisë, ne e kemi të shtrirë dorën e bashkëpunimit mes dy partive nga shumica parlamentare. E kemi pranuar ftesën që të ulemi bashkë dhe të dërgojmë mesazhin e pajtimit. Ka pasur shumë përçarje, duhet të u japim fund atyre. Ne duhet të marrim përgjegjësinë për atë që kemi të përbashkët – BE-në – e cila nuk ka alternativë.  Ne duhet të përmbushim të gjitha standardet që kërkon BE-ja nga ne.  Ne jemi gati për këtë, po shkojmë bashkë dhe ftojmë të tjerët të punojnë me ne.  Jemi për bashkëpunim në këto parime të deklaruara qartë, për ta bërë vendin të begatë”, tha Gjeloshaj. Genci Nimanbegu (FORCA) thotë se shpreson që nënshkrimi i sotëm i memorandumit të jetë shpresë për të rinjtë se Mali i Zi ka të ardhme. Fatmir Gjeka (Partia Demokratike) tha se ky është një moment i rëndësishëm për ecurinë e mëtejshme të skenës politike në Mal të Zi.

SHARE