RAMA: KONTESTIMI NDAJ QEVERISË BËHET ME PROTESTA PAQËSORE

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka kritikuar pjesëmarrjen e të miturve në protestat e ditëve të fundit për vdekjen e të riut pas ndjekjes nga policia si dhe ka kundërshtuar thirrjet për shkarkimin e drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shqipërisë, Ardi Veliu. Në konferencën online që kishte në fokus zhvillimet në ekonomi dhe prioritetet e projektbuxhetit të vitit 2021, Rama tha se kontestimi ndaj qeverisë bëhet me protesta paqësore dhe më votë. Duke kundërshtuar thirrjet për dorëheqjen e drejtorit të përgjithshëm të Policisë së Shqipërisë, Rama tha se: “Ishte e drejtë që qeveria të kërkonte ndjesë, jo se kishte gisht në tragjedinë që ndodhi, por sepse djalin 25-vjeçar e vrau arma e shtetit. Që në momentin e parë ndaj ngjarjes është mbajtur qëndrimi më korrekt dhe më profesional”. Kujtojmë se ngjarja ku mbeti i vdekur 25-vjeçari Klodian Rasha pas ndjekjes nga policia ka ndodhur më 8 dhjetor në Tiranë në orarin që përkonte edhe me kufizimin e lëvizjes së qytetarëve. Për punonjësin e policisë Nevaldo Hajdaraj i cili akuzohet se gjatë shërbimit ka qëlluar me armën e shërbimit të riun, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë ka vendosur masën “arrest me burg”. Që nga 9 dhjetori në Shqipëri janë organizuar protesta me pjesëmarrjen kryesisht të të rinjve, përfshirë edhe të mitur, që janë shoqëruar edhe me akte dhunë dhe tensione, ku si pasojë janë plagosur dhjetëra policë dhe janë shkaktuar dëme në ndërtesat e institucioneve. Në lidhje me ngjarjen ku mbeti vdekur i riu dha dorëheqje ministri i Brendshëm i Shqipërisë, Sandër Lleshaj.  Kryeministri Rama u fokusua edhe në prioritetet e buxhetit të vitit 2021, duke theksuar se buxheti i vitit të ardhshëm garanton një volum të konsiderueshëm të mbështetjes financiare për ata që janë më në nevojë. “Familjet me ndihmë ekonomike do të marrin dyfishin (e ndihmës), mjekët, infermierët do të kenë një rritje jashtëzakonisht të qenësishme të pagës së tyre. Do të rritet volumi i investimeve në shëndetësi dhe në infrastrukturë”, tha Rama. Në lidhje me përpjekjet e Shqipërisë për vaksinën kundër koronavirusit të ri (COVID-19), Rama tha se “do të duhet të financojë masivisht për të garantuar vaksinimin e të gjithë qytetarëve falas, natyrisht jo me detyrim”.

SHARE