GALIQ PARALAJMËRON MASA MË KUFIZUESE

Në pritje të festave të Vitit të Ri dhe Krishtlindjeve, të cilat, për shkak të mbledhjes së një numri më të madh njerëzish, mbartin rrezikun e përhapjes së epidemisë së koronavirusit, do të jenë në fuqi masa më kufizuese epidemiologjike, tha drejtori i Institutit të Shëndetit Publik (ISHP) Igor Galliq. Galliq, i cili së fundmi u emërua drejtor i ISHP-së, tha në programin e mëngjesit të RTMZ se epidemia është e përhapur në Malin e Zi, me nivele të larta sëmundjesh në të gjitha qytetet, por prirja është ende e qëndrueshme. Ai rikujton se ka kaluar një javë nga miratimi i masave të reja epidemiologjike, dhe se ende kemi një nivel të lartë të sëmundjes së koronavirusit. Masat e reja do të propozohen brenda afatit të caktuar, dhe në rast të përkeqësimit të situatës epidemiologjike, është e mundur edhe më herët. “Ajo që është e mirë është që ne nuk kemi të ashtuquajturën rritje eksponenciale, që do të thotë se në një periudhë të shkurtër kohe nuk kemi një numër të madh të rasteve të reja,” thekson Galliq. “Duke qenë se jemi në pragë të festave të fundivitit dhe se çdo tubim mbart rrezikun e përhapjes së epidemisë, masat sigurisht që do të jenë më kufizuese dhe festimet nuk do të lejohen. Ne duhet të mendojmë për periudhën pas festave, për shëndetin e qytetarëve,” tha Galliq. Ai u bën thirrje qytetarëve që të jenë të vetëdijshëm për momentin në të cilin ndodhemi dhe të jenë të durueshëm edhe pak. “Ne nuk mund të detyrojmë askënd të mblidhet ose jo, por ne kërkojmë që këto të jenë festa familjare, që ato të festohen në atë mënyrë, sepse kjo do të ndihmojë shtetin dhe shoqërinë, por edhe veten e tyre dhe familjet e tyre,” përfundoi ai.

SHARE