FESTA NË IZOLIM / NË BERLIN, LONDËR DHE NJU JORK

Në prag të Krishtlindjes, kthehet izolimi në shumë vende të botës. Beteja kundër koronavirusit vazhdon me ashpërsimin e kufizimeve në vende të ndryshme. Nga nesër, Londra do të kthehet në zonë të kuqe, duke mbyllur restorantet, pabet dhe shumë dyqane. Berlini po ashtu. Linjë e ashpër edhe në Holandë ku do të mbyllet gjithçka për pesë javë, ndërsa Nju Jorku përgatitet për hipotezën e një mbylljeje të plotë. Në Holandë, do të mbyllen dyqanet jo thelbësore, teatrot dhe palestrat. Gjermania nga e mërkura do të hyjë në bllokim të rreptë pasi numri i të infektuarve ka arritur nivele rekord. Franca ka lehtësuar disa masa. Por megjithatë shumë kufizime do të mbesin në fuqi pasi numri i të prekurve nga sëmundja COVID-19 është akoma i lartë. Italia, Spanja, Franca dhe Britania e Madhe janë ndër vendet që kanë regjistruar numrin më të lartë të rasteve gjatë pandemisë. Javët e fundit, qeveritë e vendeve evropiane janë përballur me dilema të vështira nëse duhet të lehtësojnë kufizimet për periudhën e pushimeve. Por, vala e fundit e të infektuarve në disa vende i ka shtyrë qeveritë të ndalojnë planet për të zbutur rregullat.

SHARE