QEVERIA E MALIT TË ZI MIRATOI PROJEKTLIGJIN PËR BUXHETIN PËR VITIN 2025

Qeveria e Malit të Zi në seancën e sotme ka miratuar Projektligjin për Buxhetin për vitin e ardhshëm dhe Vendimin për Huamarrje për vitin 2025, me suficit të parashikuar të shpenzimeve korrente buxhetore, që do të thotë se shteti do të marrë hua ekskluzivisht për shlyerjen e borxheve të vjetra dhe financimin e projekteve kapitale.

Me këtë përmbushet “rregulli i artë” i buxhetit që shteti i financon të gjitha detyrimet aktuale nga të ardhurat korente.

Të hyrat fillestare buxhetore janë planifikuar në vlerë prej 2,886.0 milionë € dhe krahasuar me të planifikuarat për vitin 2024 janë më të larta për 102 milionë € ose 3.7%, edhe krahas uljes së kontributeve për sigurimin pensional dhe invalidor të planifikuar si pjesë e reformës për uljen e barrës tatimore mbi pagat.

Shpenzimet buxhetore janë planifikuar në vlerë prej 3,164.2 milionë €.

Duke pasur parasysh nivelet e planifikuara të të ardhurave dhe shpenzimeve, deficiti buxhetor është planifikuar në vlerën 278 milionë € ose 3.5% i PBB-së, siç është planifikuar me strategjinë fiskale.

Buxheti karakterizohet nga masat për përmirësimin e standardeve të qytetarëve të zbatuara në kuadër të programit “Evropa Tani 2”.

Përmirësimi i standardeve të qytetarëve dhe cikli intensiv i investimeve realizohen me stabilitetin e plotë të financave publike, gjë që garantohet nga fakti se deficiti buxhetor mbetet në nivelin mesatar prej 3.3% në tre vitet e ardhshme dhe borxhi publik neto në nivelin mesatarisht 61% të PBB-së, i cili përmbush kriteret e përgjegjësisë fiskale.

Buxheti kapital është planifikuar në vlerë prej 280 milionë euro për realizimin e projekteve shumëvjeçare me vlerë totale të parashikuar prej 3.7 miliardë euro.

Për vitin e ardhshëm, vijimi i tendencave pozitive ekonomike parashikohet me arritjen e një norme dinamike të rritjes reale ekonomike prej 4.8%, ulje të mëtejshme të presioneve inflacioniste dhe rritje të punësimit.

Propozimi i Ligjit për Buxhetin për vitin 2025 do të prezantohet në mënyrë të detajuar në një konferencë për media, të planifikuar për të hënën, më 18 nëntor në ora 12:00.

SHARE