Projektligji për ratifikimin në parlament të marrëveshjes Shqipëri-Itali për emigrantët në Lezhë u miratua këtë të mërkurë në mbledhjen e qeverisë.
Pas marrëveshjes së firmosur mes kryeministrit Edi Rama dhe kryeministres Georgia Meloni më 6 nëntor, me vendim të Këshillit të Ministrave hyri në fuqi menjëherë propozimi për forcimin e bashkëpunimit në fushën e migracionit ndërmjet qeverisë shqiptare dhe italiane.
Më tej, pritet që marrëveshja të kalojë në komisionet parlamentare për diskutim e të votohet në seancë plenare. Marrëveshja për strehimin e refugjatëve parashikon krijimin e dy qendrave, me kapacitet jo më shumë se 3 mijë të huaj në muaj.
Porti pritës i tyre pritet të jetë Shëngjini, ndërsa kampi ku do të qëndrojnë planifikohet të ndërtohet në Gjadër. Shpenzimet për jetesën e refugjatëve që do të presin përgjigjen e azilit nga shteti italian do të përballohen nga Italia, në një kontratë paraprake 5-vjeçare.