Mbrëmë, më 14. 11. 2022 në Qendrën për Hapje dhe Dialog / COD (Center for Openness and Dialogue) në lokalet e Kryeministrisë së Shqipërisë në Tiranë, Komuna e Tuzit, u prezantua si botuese me promovimin e Monografisë për piktorin malësor me famë evropiane dhe botërore, Maestro Gjelosh Gjokaj.
Publikun e përzgjedhur të adhuruesve të artit të maestros në emër të Komunës së Tuzit e përshëndeti Sekretarja e Sekretariatit të Vetëqeverisjes Lokale, Marina Ujkaj, e cila theksoi se kultura si njëri nga prioritetet e ruajtjes së identitetit kombëtar për komunën e Tuzit është bërë, pikë në të cilën po veprojnë dhe duhet vepruar gjithnjë e më shumë.
Studiuesja dhe kritikja e artit, Suzana Varvarica Kuka vlerësimin e vetë mbi monografinë e shtjelloi përmes analizës kritike të teksteve të historianes së artit Lilana Zekoviq dhe kritikut të artit Shkëlzen Maliqi, që janë njëkohësisht edhe autorët e dy teksteve kryesore në Monografi.
Redaktori dhe përgatitësi i Monografisë, Mastro Gjelosh Gjokaj, z. Sead Gjokaj e dha një pasqyrë të jetës dhe veprimtarisë së piktorit duke u ndaluar në vlerësimet për pikturën dhe grafikën e tij prej emrave të spikatur të kritikës së artit, që nga fillimet e tij në Beograd, në Prishtinë, Podgoricë, Romë deri në Augsburg, ku e kaloi pjesën më produktive të jetës, si dhe për çmimet e shumta kombëtare, shtetërore dhe ndërkombëtare, laureat i të cilëve ishte Gjeloshi.
Për piktorin dhe vendlindjen, Malësinë, Mileshin, për gurin dhe Cemin, ngjyrat dhe fatin tragjik të cilat e përcollën tërë veprimtarinë e tij krijuese, si dhe për Gjeloshin si njeri jashtë ateliesë së vetë kujtimet e përbashkëta me piktorin i shpalosi përkthyesi Nikollë Berishaj Këto ngjallën diskutim me publikun e pranishëm dhe vlerësim maksimal si për piktorin, ashtu edhe për veprën, për Komunën e Tuzit që me sensin e mirë për vlerën i dhanë lexuesit shqiptar dhe jo vetëm (pasi Monografia është në gjuhën shqipe dhe angleze) kënaqësi të njohjes së thelluar me veprën e piktorit.
Në fund disa kopje të monografisë iu dhuruan Bibliotekës së Kryeministrisë, Qendrës COD si dhe disa fytyrave eminente të artit pamor që ishin prezent në përurim.