Bashkimi Evropian pret nga Serbia përparim në fushën e sundimit të ligjit, të mediave elektronike dhe legjislacionit zgjedhor, tha presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen më 15 tetor në Beograd, pas takimit me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Zyrtarja e lartë evropiane përshëndeti përparimin në lidhje me përditësimin e listës së votuesve, si dhe në lidhje me zgjedhjen e anëtarëve të Këshillit të Autoritetit Republikan për Mediat Elektronike.
“Tani është momenti i duhur për Serbinë që të ndërmarrë hapa konkretë drejt anëtarësimit. Pika e parë është që duhet të shohim përparim në fushat e sundimit të ligjit, mediave elektronike dhe ligjeve për zgjedhjet. E di që këto reforma nuk janë të lehta, të gjithë segmentet e shoqërisë dhe spektri politik duhet të jenë të përfshirë në to”, tha von der Leyen në një konferencë për media në Pallatin Serbia në Beograd.
Në fjalimin e saj, presidentja e Komisionit Evropian tha se qëndrimi i Bashkimit Evropian nënkupton liri, jo represion, duke përfshirë të drejtën për tubime paqësore.
“Ne angazhohemi për partneritet, jo për nënshtrim, dhe për diplomaci në vend të agresionit”, theksoi von der Leyen.
Ajo i bëri një ftesë presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, që “rreth një muaj nga tani” të shkojë në Bruksel për të shqyrtuar situatën në lidhje me reformat.
Duke iu përgjigjur pyetjes së Radios Evropa e Lirë se ku sheh zgjidhje për situatën aktuale në Serbi, ku prej muajsh zhvillohen protesta antiqeveritare për shkak të tragjedisë në Novi Sad në fund të vitit të kaluar, von der Leyen tha se ky është një moment kyç për Serbinë dhe se ka ardhur koha që gjithë populli të bashkohet dhe të forcohen themelet e një demokracie efektive.
“BE është e gatshme t’ju mbështesë dhe të bëjë çdo përpjekje për këtë çështje. Reformat duhet të zbatohen dhe ato duhet të realizohen duke tërhequr shoqërinë pas vetes”, tha shefja e KE-së.
Ursula von der Leyen theksoi se BE pret një nivel më të lartë të përshtatjes së Serbisë me politikën e jashtme të BE-së, përfshirë edhe vendosjen e sanksioneve kundër Rusisë.
“Duhet t’ju falënderoj sepse keni përshtatur 61 për qind të politikës suaj të brendshme me tonën, por duhet të arrijmë më shumë. Ne duam të mbështetemi te Serbia si një partnere e besueshëm”, tha zyrtarja e lartë evropiane.
Serbia është një nga pak vendet në Evropë që nuk i është bashkuar sanksioneve të Bashkimit Evropian kundër Federatës Ruse, pas fillimit të pushtimit rus të Ukrainës më 2022. Megjithatë, Serbia ka dënuar agresionin rus duke mbështetur rezoluta të Kombeve të Bashkuara.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, deklaroi në konferencën e përbashkët se për Serbinë anëtarësimi në BE është “një vendim strategjik dhe prioritet i politikës së jashtme”, por shtoi se që nga fillimi i pushtimit rus të Ukrainës nuk është hapur asnjë kllaster në negociatat për anëtarësim në BE.
“Më duket se, së paku kohët e fundit, kemi bërë disa gjëra. Ende kemi shumë për të bërë, por edhe brenda vendit duhet të diskutojmë për drejtimet e politikës sonë”, tha Vuçiq.
Ai kujtoi se Industria e Naftës e Serbisë (NIS) është nën sanksione amerikane dhe shtoi se kjo nënkupton se është edhe nën ato evropiane.