Foto: Qeveria e Malit të Zi / Vlada Crne Gore
Ministri i Mbrojtjes së Malit të Zi, Dragan Krapoviq, deklaroi se Mali i Zi vazhdon me përgjegjësi të realizojë detyrimet nga agjenda e NATO-s.
Ministria e Mbrojtjes njoftoi se Krapoviq mori pjesë në mbledhjen e Këshillit të Atlantikut të Veriut, mbajtur në selinë e NATO-s në Bruksel, nën kryesimin e Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte.
Ministrat e mbrojtjes diskutuan për ritmin e zbatimit të vendimeve të marra në Samitin e NATO-s në Hagë në qershor, të cilat konfirmojnë përkushtimin e fuqishëm të aleatëve ndaj forcimit të Aleancës dhe rritjes së qëndrueshmërisë në një mjedis të sigurisë gjithnjë e më dinamik.
U theksua se transformimi i NATO-s po zhvillohet sipas planit, me qëllim forcimin e mëtejshëm të kapaciteteve mbrojtëse dhe parandaluese.
Në këtë kontekst, ministrat diskutuan për zbatimin e mëtejshëm të koncepteve të reja, forcimin e strukturës së forcave dhe përshtatjen e strukturës komanduese. Një nga parakushtet kyçe është disponimi i forcave dhe kapaciteteve të nevojshme, ndaj u diskutua edhe për implementimin e paketës së re dhe të kërkuar të Objektivave të Aftësive, që do të kontribuojë në modernizimin e forcave të NATO-s.
Po ashtu, u shpreh përkushtimi për rritjen e mëtejshme të investimeve në mbrojtje, sipas detyrimeve të reja të marra në Samitin e Hagës.
Ministrat e Mbrojtjes të vendeve aleate konfirmuan edhe njëherë mbështetjen e fuqishme dhe afatgjatë për Ukrainën, e cila është kyçe për mbrojtjen e sovranitetit dhe integritetit të saj territorial.
Krapoviq theksoi se uniteti dhe përkushtimi i plotë i të gjitha aleateve është vendimtar për realizimin pa vonesa të detyrimeve që synojnë forcimin e mëtejshëm të mbrojtjes kolektive, duke marrë parasysh sfidat më komplekse me të cilat NATO është përballur në dekadat e fundit.
Ai konfirmoi gjithashtu se Mali i Zi do të vazhdojë rritjen e buxhetit për mbrojtje, nga i cili një e treta do të shkojë për realizimin e Objektivave të NATO-s për Aftësi Ushtarake.
Në lidhje me Ballkanin Perëndimor, Krapoviq theksoi se është e rëndësishme që rajoni të mbetet lart në agjendën e NATO-s, dhe Mali i Zi, nga pozicioni i tij, do të vazhdojë të kontribuojë në ruajtjen e stabilitetit dhe promovimin e dialogut.
Lidhur me situatën në Ukrainë, ai theksoi rëndësinë e mbështetjes së vazhdueshme dhe rikujtoi se Mali i Zi ka dërguar ndihma të konsiderueshme në këtë vend, dhe se ndihma do të vazhdojë në përputhje me nevojat dhe vlerësimet nga terreni.