KE-ja: MALI I ZI ËSHTË HARMONIZUAR ME QËNDRIMIN E BE-së NË KAPITULLIN 31

Mali i Zi ka ndërmarrë hapat e nevojshëm procedural për të siguruar bashkëpunim të plotë me Gjykatën Penale Ndërkombëtare dhe është harmonizuar me qëndrimin e BE-së, tha Komisioni Evropian (KE).

Kjo u tha pasi Ministria e Punëve të Jashtme njoftoi Shtetet e Bashkuara të Amerikës se po ndërpresin Marrëveshjen Dypalëshe me atë vend për përjashtimin e shtetasve amerikanë nga juridiksioni i Gjykatës Penale Ndërkombëtare.

“Kjo e sjell Malin e Zi në përputhje me qëndrimet e përbashkëta të BE-së për integritetin e Statutit të Romës dhe me parimet udhëzuese të BE-së lidhur me marrëveshjet dypalëshe të imunitetit, që është një pikë referimi e spikatur në kapitullin 31 të negociatave të pranimit të Malit të Zi në BE,” tha zëdhënësi i KE.

Komisioni rikujton se Mali i Zi është shtet nënshkrues i Statutit të Romës. Si e tillë, ajo tashmë është e detyruar të bashkëpunojë plotësisht me Gjykatën Ndërkombëtare Penale.

Ky harmonizim përfaqëson pikën përfundimtare në kapitullin 31 të negociatave me Bashkimin Evropian. Megjithatë, Komisioni shpjegon se marrja e vendimeve për negociatat e anëtarësimit është përgjegjësi e shteteve anëtare.

“Është prerogativë e Presidencës së Këshillit që të thërrasë një Konferencë Ndërqeveritare, ku mund të merret një vendim për mbylljen e përkohshme të Kapitullit 31 për Politikën e Jashtme, të Sigurisë dhe të Mbrojtjes”, thekson zëdhënësi i Komisionit Evropian.

SHARE