Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen njoftoi mbërritjen e një propozimi të ri legjislativ për riatdhesimet.
Përmes një letre dërguar liderëve të bllokut përpara takimit të Këshillit Europian në data 17 dhe 18 tetor, Von der Leyen iu rikthye dosjes së emigrantëve, duke nënvizuar nevojën për krijimin e qendrave të ngjashme me ato të marrëveshjes italo-shqiptare, siç thekson ajo.
“Duhet të vazhdojmë të eksplorojmë rrugët e mundshme për të ndjekur në lidhje me idenë e zhvillimit të qendrave të riatdhesimit jashtë BE-së, veçanërisht në funksion të një propozimi të ri legjislativ për riatdhesimet. Me nisjen e operacioneve të parashikuara nga protokolli Itali-Shqipëri, do të mund të nxjerrim edhe mësime praktike”, ka shkruar ajo.
“Tashmë, e kemi marrë zotimin të rishikojmë konceptin e vendeve të treta të caktuara të sigurta deri në vitin e ardhshëm. UNHCR dhe IOM janë të gatshëm të punojnë me BE-në për një qasje që përfshin të gjithë udhëtimin, duke ndihmuar ata që kërkojnë azil pa pasur nevojë të ndërmarrin udhëtime të rrezikshme nëpër Mesdhe”, thekson von der Leyen, duke iu referuar kështu qendrave jashtë BE-së dhe Italisë, sipas modelit të Shqipërisë.
“Përmirësimi i bashkëpunimit për çështjen e riatdhesimit është një interes i BE-së që duhet të reflektohet mirë në marrëdhëniet tona me vendet partnere. Duke punuar së bashku dhe duke përdorur mundësitë e ofruara nga Kodi i Vizave, ne kemi treguar se BE-ja mund të inkurajojë partnerët të punojnë më lehtësisht me ne për riatdhesimin dhe për ta bërë më koherent bashkëpunimin me shtetet anëtare”, tha Von der Leyen.
Von der Leyen shton se emigracioni do të vazhdojë të jetë një sfidë themelore e përbashkët, në përballimin e së cilës, siç thotë, do të nevojitet një kombinim i veprimeve të brendshme me ato të jashtme, mbrojtje më efektive të kufijve të jashtëm të BE-së dhe një luftë të vendosur kundër kontrabandës së emigrantëve, duke rritur deportimet dhe duke zhvilluar partneritete globale të dobishme reciproke, ndërsa nënvizoi se rritja e mundësive për emigrim të ligjshëm do të ndihmonte luftën kundër klandestineve e do të kontribuonte në “përmbushjen e nevojave të tregut të punës së bllokut”.