Foto: Qeveria e Malit të Zi / Vlada Crne Gore
Gjatë sezonit turistik veror 2025 në bregdetin e Malit të Zi, inspektorët kanë kryer një numër rekord prej 9.652 kontrollesh inspektuese, në të cilat janë konstatuar 6.252 shkelje të ligjit, ndërsa janë lëshuar mbi 8.700 gjoba në një vlerë që kalon 4.1 milionë euro, bëhet e ditur në mbledhjen e pestë të Trupit Koordinues për Mbikëqyrje dhe Harmonizim të Kontrollit Inspektues, të kryesuar nga nënkryetari i Qeverisë për Infrastrukturë dhe Zhvillim Rajonal, Millun Zogoviq.
Kontrollet janë zhvilluar në gjashtë komuna bregdetare – Ulqin, Tivar, Budva, Tivat, Kotor dhe Herceg Novi – në periudhën nga 30 qershori deri më 1 shtator.
“Më shumë se 70 inspektorë kanë qenë çdo ditë në terren, dhe ndër shkeljet më të shpeshta janë identifikuar punësimi ilegal, problemet me fiskalizimin dhe mangësitë higjienike. Janë paraqitur edhe 29 kallëzime penale dhe janë lëshuar 1.223 urdhra për korrigjimin e shkeljeve, në kuadër të veprimeve parandaluese”, thuhet në njoftimin nga Kabineti i nënkryetarit të Qeverisë.
Në aksione kanë marrë pjesë inspektorati turistik, i punës, shëndetësor-sanitar, tregtar, inspektorati për sigurinë ushqimore dhe për peshkim, si dhe Administrata për Sigurinë Detare.
“Rezultatet e arritura dëshmojnë se vetëm përmes veprimit të përbashkët dhe përgjegjës mund të garantojmë cilësi të lartë të shërbimeve, mbrojtjen e konsumatorit dhe reputacionin e Malit të Zi si një destinacion i sigurt turistik”, u shpreh Zogoviq.
Trupi Koordinues ka rekomanduar që veprime të tilla të koordinuara të vazhdojnë edhe në periudhat e ardhshme, duke u përqendruar më shumë në edukimin e bizneseve dhe zhvillimin e mekanizmave parandaluese për të ulur numrin e shkeljeve në të ardhmen.